Procesi i dorëheqjeve në kuadër të riorganizimit të administratës vendore ka prekur edhe qarkun e Beratit, ku në disa bashki janë regjistruar tashmë largime nga detyra të drejtuesve të njësive administrative dhe drejtorëve vendorë.
Sipas burimeve zyrtare, në Bashkinë Poliçan kanë dhënë dorëheqjen administratorët e njësive Tërpan dhe Vërtop, ndërsa në Bashkinë Kuçovë janë larguar të tre administratorët e njësive administrative Kozare, Perondi dhe Lumas.
Ndërkohë, në bashkitë Berat, Skrapar dhe Dimal deri më tani nuk është regjistruar asnjë dorëheqje.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme aktualisht një valë dorëheqjesh, pasi shumë prej drejtuesve aktualë janë të sapoemëruar dhe duhet të kenë kohë për të treguar performancën e tyre.
