Ish-ministri i Financave Arben Malaj, i ftuar në News24, ka reaguar lidhur me aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, kryesisht në Vlorë, duke e cilësuar veprimin si antiligjor dhe antidemokratik.

Malaj theksoi se vendimet duhet të merren nga institucionet, jo nga individë të vetëm. Ai kritikoi dorëheqjet kolektive të drejtorëve lokalë, duke thënë se janë të diktuara nga lideri dhe jo të bazuara në përgjegjësi reale.

Sipas tij, qeverisja duhet të udhëhiqet nga administrata profesionale dhe jo nga vullneti personal i kryeministrit.

Ish-ministri Arben Malaj: Ndërhyrja e Edi Ramës për lirimin e hapësirave publike është antiligjore, pushtetet janë të ndara. Shqipëria mund të ketë rezultate të mira, kur qeveriset nga institucionet dhe jo nga një individ. Vendimet duhet që të merren nga institucione e jo nga njerëz të caktuar. Sado i aftë të jetë kryeministri, nuk mund të bëjë gjithçka. Rama është në një element antidemokratik, bën kryeministrin paradite dhe pasdite shkon dhe bën detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës. Rama nuk ka shkuar mirë me asnjërin nga kryetarët e bashkive. Ermal Dredha mos të firmosë shkarkimin e drejtorëve. Ai nuk firmosi, drejtorët dhanë dorëheqjen. Vlora është e vlonjatëve dhe jo e PS-së apo PD-së. Drejtorët e njohin mirë qytetin.

Nëse Ermal Dredha zbaton urdhrin e Ramës, atëherë drejtorët mund të shkojnë në gjyqe dhe të fitojnë gjyqe e para, që është abuzim financiar. Dorëheqja nuk mund të jetë kolektive, sepse nëse janë bërë gabime, përgjegjësitë janë individuale. Jam i zhgënjyer nga ata që japin dorëheqjen se ua kërkon lideri. Qeveriset nga një administratë, që është sa më profesionale. Ramës i ka hipur vetja në qejf, siç e thonë shkodranët. Edhe më herët, realiteti ka treguar se edhe pasi janë bërë aksione, sërish trotuaret janë bllokuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb