Spektakël, emocione dhe pesë gola në përballjen mes Anglisë dhe Spanjës, me triumfin që i buzëqesh “Tre Luanëve”. Skuadra e drejtuar nga Tomas Tuchel fiton 3-2 ndaj kampionëve të botës, duke i dhënë fund serisë së tyre prej 43 ndeshjesh pa humbje.

Anglia e nis ndeshjen me ritëm të lartë dhe merr menjëherë kontrollin e lojës, duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare me Harry Kane. Spanja e ka të vështirë të përballojë presionin dhe pëson goditjen e parë në fundin e pjesës së parë. Një faull i Cucurellas sjell penalltinë, të cilën Kane e shndërron në gol për avantazhin 1-0.

Në pjesën e dytë, Spanja tenton të reagojë me tre zëvendësime të menjëhershme, por Anglia godet sërish. Konsa në minutën e 53-të dhe White vetëm katër minuta më vonë realizojnë dy gola, duke e çuar rezultatin në 3-0.

Megjithatë, spanjollët nuk dorëzohen dhe rikthejnë emocionet në këtë përballje. Oyarzabal në minutën e 65-të dhe Nico Williams në të 75-ën ngushtojnë diferencën në 3-2, duke e bërë fundin e takimit dramatik.

Spanja hidhet e gjitha në sulm në kërkim të barazimit, por përballë gjen një Trafford të jashtëzakonshëm. Portieri anglez realizon katër pritje vendimtare në minutat e fundit, duke garantuar një fitore të madhe për skuadrën e tij.

Me këtë sukses, Anglia shkon në kuotën e 15 pikëve, barazon Spanjën, por falë fitores në përballjen direkte merr kreun e grupit dhe mbyll një mbrëmje të paharrueshme futbollistike.

Tomas Tuchel pas ndeshjes përgëzoi djemtë për performancën e zhvilluar dhe marrjen e 3 pikëve: “Ne e dimë shumë mirë se çfarë dhamë në fushë. Çfarë paraqitjeje zhvilluam për 60-65 minuta! Arritëm të ishim në avantazhin 3-0 dhe e meritonim plotësisht atë rezultat. Sigurisht, kartoni i kuq dhe penalltia ndryshuan ritmin dhe karakterin e ndeshjes. Të luash për 30 minuta kundër Spanjës, në Spanjë, të duket sikur po luan për tri orë. Kjo ndryshoi gjithçka. Ky është mesazhi dhe rëndësia e kësaj fitoreje: ajo ishte plotësisht e merituar dhe rezultati ishte pasqyra e paraqitjes sonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: