Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me çështjen e AKSHI-t.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh se kryeministri Rama është në dijeni të plotë, sipas tij, për dëshmitë e dhëna nga Gerond Mece në dy përfaqësi kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Sipas Berishës, këto dëshmi përmbajnë detaje mbi atë që ai e cilësoi si implikim të drejtpërdrejtë të kryeministrit, të baxhanakut të tij dhe të Linda Ramës në aferat që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Berisha deklaroi se, sipas tij, këto çështje tashmë kanë dalë “në dritën e diellit” dhe se kryeministri, në këtë kontekst, “nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agasi”. Ai shtoi se reagimet e Ramës, sipas tij, vijnë si pasojë e presionit të krijuar nga këto zhvillime.

Sipas kreut të opozitës, dosja e AKSHI-t ka shkaktuar reagime të forta dhe ka tërhequr vëmendjen e kancelarive evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha. Ai e cilësoi këtë çështje si një ndër aferat më të rënda që, sipas tij, ka ndikuar në perceptimin ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb