Pjesa e Dytë
Por kush ishin vëllezërit që po terrorizonin pronarët e bareve në Bruksel? Si funksiononte grupi? Ku ishte vendosur shtabi i tyre në Bruksel?

Sipas policisë belge banda që zhvillonte aktivitetin e saj kriminal kryesisht në Bruksel, vepronte dhe sillej si një nomenklaturë tipike shqiptare, ku në krye të punëve ishte dhe pyetej vëllai më i madh.

Edhe pse ishin katër vëllezër, ata i bindeshin rendit të tyre patriarkal në mënyrën e funksionimit të grupit. Në krye të punëve të grupit ishte vëllai më i madh, Ilir Bajraj, me mbiemrin e ndryshuar Rustemi.

Ku, edhe pse ndodhej prej kohësh në burg, i dënuar për vrasje, sipas rendit klanor, ishte ai që pyetej për çdo sipërmarrje kriminale të grupit.
Në radhë, po sipas dosjes belge të Bajrave, Iliri zëvendësohej në punët e tij nga vëllai i dytë Sead Selhani, i njohur si Dushi. I treti në radhë vinte Safet Rustemi dhe i fundit, Bardhyl Rustemi. Të gjithë me mbiemër të ndryshuar.

Ku edhe pse duhen të vuanin një dënim të rëndë, qarkullonin lirshëm. Ajo që u kthye në shqetësim serioz për policinë belge, ishte fakti se ky grup, ishte gjithmonë i armatosur.

Ata po tentonin të rrisnin influencën mbi prostitucionin dhe trafikun e drogës, veçanërisht duke sulmuar pronarët e disa lokaleve për t’u marrë atyre baret nën kontroll.

Policia krahas të dhënave mbi grupin, tashmë kishte në dorë edhe shtabin ku ata ishin vendosur.
“Caffe Cool’s” në komunën Schaerbeek, ishte streha nga ku Bajrat lëshonin urdhrat për kërcënimin dhe ekzekutimin e viktimave të tyre të radhës.

Liridon Saljihi, ishte një tjetër pronar baresh, i kërcënuar nga Bajrat në Bruksel.

Më datë 25 shtator 2014, Saljihi shkoi në polici dhe bëri një ankesë për kërcënime dhe tentativë zhvatje.

Ai tha se ishte drejtues i disa lokaleve në Bruksel dhe se vëllai i tij merrej me makinat e lojërave të fatit dhe se “disa persona që bënin pjesë në një bandë keqbërëse dhe aktive në mjedisin e prostitucionit, shitjes së drogës, kishin shtrirë prej disa muajsh duart edhe mbi disa lokale ku vendosnin njerëzit e tyre në drejtimin e këtyre kafeneve”.

Në dëshminë e tij në polici, Saljihi rrëfeu se ishte kontaktuar në emër të Bajrave, nga një mik i quajtur Flamur. Qëllimi ishte që baret që kishte në pronësi, t’ia linte disa shqiptarëve që kishin ardhur në Bruksel.

Dëshmia e Liridon Saljihit
“Dje në mbrëmje, një mik i quajtur Flamur më telefonoi. Më tha që e kishin kontaktuar një bandë shqiptarësh e drejtuar nga dy vëllezër, Sead dhe Safet nga Shkodra. Këta individë bëjnë pjesë në një bandë që merret me prostitucionin, shitjen e drogës. Me transmetuan mesazhin për t’ia lënë kafet me qëllim që njerëzit e tyre që kanë ardhur nga Shqipëria t’i rimarrin”.

Përgjatë kohës që ndodhej në komisariat Liridon Saljihi mori disa thirrje telefonike, të cilave nuk iu përgjigj, por që sipas tij, vinin nga një numër që i përkiste kësaj bande.

Për të ilustruar dhunën në rritje të bandës së Bajrave, Saljihi, ofroi si shembull para policisë, “Caffe Cool” në pronësi të një turku që ishte sulmuar nga banda, pasi pronari nuk iu ishte bindur.

“Miku im Flamur me shpjegoi që përgjatë kohës që thoshin të gjitha këto, nxirrnin armët përpara tij për t’i treguar vendosmërinë e tyre. Sapo jam takuar me mikun tim Flamur që pati shkuar tek ata për të provuar t’i qetësonte dhe t’u thoshte se ne i kemi shitur të gjitha, por ata i janë përgjigjur që kjo gjë nuk ecte kështu. Ata i thanë Flamurit që në darkë do t’i thyenin të gjitha makinat”.

Dhe ashtu siç kishin premtuar dhe kërcënuar, dy ditë pasi Liridon Saljihi kishte bërë kallëzimin në polici, pavarësisht këtij fakti, banda u shfaq në lokalin e tij.

Më datë 27 shtator 2014, rreth orës 1:00 të mëngjesit Liridon Saljihi i telefonoi policisë duke i thënë se: “personat që patën premtuar se do të riktheheshin janë përpara portës së kafes Theatro të armatosur”.

Pronari i kafenesë deklaroi, se që nga koha e telefonatës deri në mbërritjen e policisë në vendngjarje: “tre persona ishin futur brenda dhe kishin thyer makinat e lojërave…”. Tre personat kishin hyrë me një çekiç.

“Ai që mbante çekiçin ishte biond, ndërsa njëri nga dy të tjerët kishte në dorë një thikë dhe ia tregonte njerëzve që ndodheshin aty. Biondi me çekiçin e tij, thyente qelqet dhe ekranet e makinave. Po ju jap gjithashtu numrin e telefonit të shefit të tyre, atij që i ka dërguar tek unë, njëfarë Safet Bajri”.

Ishte pikërisht ky numri që dy ditë më parë shqetësonte në telefon Liridon Saljihin, ndërsa ky i fundit ndodhej në stacionin policor që pas verifikimeve doli se i përkiste Bajrave, me mbiemrin e ndryshuar Rustemi.

Ndërsa në vendngjarje, policia konstatoi veç makinave të shkatërruara të lojërave të fatit edhe copa qelqi në dysheme si edhe një shkop bejsbolli të thyer në tre pjesë.

Lidhur mbi këtë ngjarje, inspektorët morën në pyetje edhe 2 persona të tjerë. Midis tyre edhe kamerierin e lokalit që u shkatërrua nga furia e bandës së Bajrave.

Dëshmia, Valon Demaj
“Rreth orës 1:00 të mëngjesit, kanë hyrë në kafe 3 persona. Njëri që mbante një shkop bejsbolli në dorë, nisi të thyente bingot dhe një slot. Dy të tjerët që shërbenin për të ruajtur krahët, nuk thanë asgjë. Qëllimi i vizitës së tyre ishte që të frikësonin pronarin. Kjo është një bandë që rri tërë kohës të kafja COOL’S”.

Me datë 30 shtator 2014, Liridon Saljihi u mor sërish në pyetje nga policia.
“Ndodhesha përballë nga krahu tjetër, kur 3 shqiptarët erdhën me një ‘Mercedez’ ngjyrë gri. Kjo është mënyra e tyre e të vepruarit, vjedhje me dhunë dhe kërcënim”.

Policia e Brukselit bëri menjëherë verifikimin e automjetit.

Automjeti ‘Mercedez’ me targa shqiptare, u ndalua 3 orë më vonë në Saint Josse Teen Noode me 3 persona brenda, por asgjë e dyshimtë nuk u gjet në autoveturë dhe asnjë nga 3 personat nuk u identifikuan nga pronari i lokalit Theatro.

Policia e Brukselit
“Kjo autoveturë që i përket bashkë të akuzuarit Sirian Alija është kontrolluar disa herë në lagjen Yser në drejtimin e pronarit të saj Safet Rustemi.

E vetmja adresë në Belgjikë ende e regjistruar në GPS është ajo që korrespondon me kafen COOL’S.
I pyetur nga policia, pronari i mëparshëm i lokalit ‘Cool’s’, deklaroi se kafenenë e mori në pronësi një shqiptar me emrin Sokol dhe një farë Dushi që sipas tij, “çdo herë që vinte, luante të fortin në kafe”.

Ish-pronari i Caffe Cools
“Nuk jam kërcënuar kurrë nga këta njerëz. Asnjëherë nuk kam parë armë, por kishte një opinion shumë të keq mbi ta. Ishin tërë kohën në telefon. Udhëtonin me një ‘Merdeces Break’ ose me taxi”.

Një muaj pas shkatërrimit të Caffe Theatro, policia rimori në pyetje kamerierin, ku ky i fundit identifikoi qartësisht përmes një seti fotosh të quajturin Muça si personin që kishte thyer makinat e lojërave të fatit.

Ndërsa për sa i përket autoveturës ‘Mercedes’ me targa të Shqipërisë, dhe pasi iu tha nga policia se ishte përdorur nga autorët e ngjarjes ai tha se: “E shikoj ende rregullisht këtë autoveturë tek Rue Brabant në SCAERBEEK, sipas përshkrimit që më është bërë, me xhama të errëta në pjesën e pasme. Është pikërisht kjo autoveturë për të cilën është fjala”.

Por kërcënimi i Bajrave ndaj pronave të Liridon Saljihit, nuk do të ndalej vetëm me shkatërrimin e Caffe Theatro. Ai në vazhdim do të ishte edhe më i egër.

Më datë 28 shtator 2014 rreth orës 03:50 dy persona futen në Caffe ‘Le Gambinus’ që ndodhet në komunën Gonshore, Avenue Vlharles Quint, pronë edhe kjo e Liridon Saljihit. Në hyrje ata përballen me truprojën, Naim Zeka i cili njohu edhe njërin prej agresorëve, të quajtur Halim. 15 minuta më vonë, tre meshkuj tentojnë të futen në lokal, por truproja ua ndalon hyrjen me arsyen se aty po zhvillohej një mbrëmje private.

Tre meshkujt tentuan gjithsesi të futen me forcë, por nuk ia arritën qëllimit. Është ky momenti kur një person i katërt, që rrinte i tërhequr, qëllon katër herë me armë zjarri, mbi qelqin e vitrinës së lokalit.

Duke plagosur gabimisht vetëm një person në këmbë, pikërisht njërin prej shokëve të tij. Truproja Naim Zeka, njohu ndërmjet 4 personave një individ biond si edhe një tjetër të quajtur Sokol.

Të 4 personat u larguan më pas, njëri me këmbë dhe 3 të tjerët me një autoveturë të markës “Audi A3” ngjyrë gri. Në momentin e mbërritjes, forcat e rendit, konstatuan 4 goditje plumbash. Dy mbi vitrinën e kafenesë dhe 2 të tjera mbi një vazo lulesh në hyrje të lokalit.

Policia lokale
“E kemi tepër të vështirë që të marrim të dhëna në raport me atë që bëhet fjalë në këtë dokument, sidomos në lidhje me autorët. Në fakt pronarët e lokalit nuk dëshironin të shpreheshin, por preferojnë t’i rregullojnë punët shqiptarçe, gjë që na u tha qartësisht.

Në fakt, sipas tyre, drejtësia belge nuk kryen punën e saj dhe nuk reagon ndaj këtij rrjeti që kërcënon shumë tregtarë të Brukselit. Na është thënë qartësisht se është mafia shqiptare që bën presione verbale dhe të tjera më qëllim që të vjedhë sa më shumë tregtarë”.

Por ndërkohë që policia vazhdonte këqyrjen e vendit të ngjarjes, pa u frikësuar aspak, banda vazhdonte të kërcënonte në distancë pronarin e kafenesë që kishte sulmuar, çka tregonte për rrezikshmërinë e tyre.

Disa minuta pas ngjarjes, njëri prej pronarëve të Caffe ‘Le Gambinus’, informoi inspektorët e policisë së një autoveturë e dyshimtë sapo kaloi, me një shpejtësi të ulët përpara lokalit.

Pronari i lokalit ‘Le Gambinus’
“Është një VW Golf 5, me ngjyrë të errët, targa i fillon me 1-CBB…kishte dy persona brenda, njoha pasagjerin e përparmë, si një ndër 5 shefat e bandës. Ju informoj se këta persona kërkojnë lokalin tonë, por që ne refuzojmë. Pasagjeri në autoveturë quhet Col”

Forcat e rendit iu vunë menjëherë nga pas automjetit dhe e ndaluan atë bashkë me dy udhëtarët.

Ata ishin, pasagjeri Raman Aljimi, i implikuar tre muaj më parë, në episodin e goditjes me armë zjarri mbi automjetin e Lulzim Gërxhaliut dhe që njihet me nofkën Rikki dhe Col.

Ky i fundit pretendoi se s’kishte të bënte fare me ngjarjen dhe se kishte kaluar përpara lokalit ‘Le Gambinus’ fare rastësisht dhe se ishte duke bërë një xhiro të vogël me veturë. Besart Salihi, njëri prej dy pronarëve iu përgjigj kështu pyetjeve të inspektorëve të policisë në lidhje me të shtënat mbi lokalin ‘Le Gambinus’:

“Një bandë e organizuar vepron në mjediset e natës në shkelje të hapur, konkretisht me kërcënime, zhvatje, etj. Ky rrjet drejtohet prej 5 personave ku gjithsecili ka në varësi nga 20 deri në 30 persona. Duke qenë se ne nuk pranuam vjedhjen e tyre të dhunshme, ata vendosën që të na bëjnë presion në mënyra të tjera, shkatërrime, etj.

Mund t’ju them se 5 kokat e këtij grupi kriminal, janë Dushi, Sokoli, Sameti dhe Safeti. Dhe një tjetër lokali i imi është thyer me urdhër të tyre, por me dorën e ndërmjetësve”.

Liridon Salihi, pronari tjetër i lokalit ‘Le Gambinus’ ndërsa u pyet nga inspektorët e policisë, dy ditë pas sulmit, më 30 shtator 2014, tha se disa minuta para ngjarjes, “Halimi ishte tek kafeneja, me Sokolin”.

“Atje kanë takuar kushëririn tim, Naimin. Halimi e njihte mirë ndaj dhe kanë bashkëbiseduar, por Naimi më tha se ishte evidente se ai shikonte gjithkund. Pasi ata u larguan, disa minuta më vonë, katër shqiptarë erdhën, ata tentuan të hynin në lokal, por kushëriri im Naimi nuk i la, duke mbyllur edhe portën. Në atë moment Naimi ka dëgjuar të shtënat me armë zjarri. Disa plumba goditën lokalin. Me sa Naimi më tregoi, veç biondit ishte gjithashtu edhe Sokoli, që u plagos nga të shtënat. Një gjë është e saktë, Sokoli ka marrë një plumb në këmbë”.

Tashmë ishte e qartë edhe për policinë se pas sulmeve ndaj bareve në lagjet e Brukselit, fshihej dora e bandës së Bajrave.

Policia e Brukselit
“Një pjesë e mirë e të thënave të Liridon Saljihit në deklaratën e tij na mundësuan që të identifikojmë se të dyshuarit janë Sead Selhani ndryshe Sead Rustemi dhe Safet Rustemi.

Ata janë veçanërisht të njohur në këto rrethe pasi dy të sipërmendurit janë shefat e një bande prej Shkodre dhe tepër aktive në disa fusha kriminale.

Saljihi thotë gjithashtu se banda e tij është ngjitur pas atij dhe të vëllait për arsye të miqësisë me Lulzim Gërxhaliun, kundërshtar në sytë e kësaj bande dhe që ka qenë viktimë e një tentative vrasje nga kjo bandë”.

Ndërkohë që sipas dosjes belge të Bajrave, konstatohet se banda nuk ndalej në kërcënimet e saj, vetëm te pronarët shqiptarë të bareve, por edhe ata të huaj. Eddy Fernandez ishte një tjetër pronar bari i kërcënuar me shkatërrim nga Bajrat.

Policia belge
Nga marrja në pyetje e Eddy Fernandez, i cili është pronar i disa lokaleve në Bruksel do të nënvizojë faktin se ai është lajmëruar prej personave që i instaluan lojërat e fatit “që ata do të bënin këto veprime”, dhe se qëllimi i autorëve ishte që të “na frikësojnë e të marrin lokalet për të vendosur njerëzit e tyre me qëllim që të shisnin drogën”.

Ndërkohë që banda vazhdonte terrorin e saj edhe mbi pronarë të tjerë baresh, ku pronarit të lokalit ‘Faragos’, pasi kishte refuzuar që t’i jepte para kësaj bande, i ishte thyer tërësisht lokali.

Ndërsa pronarit të lokal ‘Anisa’ i ishte zhvatur shuma prej 30 mijë eurosh, pasi nuk ishte treguar i respektueshëm sipas tyre ndaj një anëtari të bandës.
Terror që nuk kursente as pronarët e bareve që dikur kishin qenë miqtë e tyre, por që këto vepra nuk ishin denoncuar zyrtarisht në polici, pasi kjo bandë ngjallte frikë tek viktimat e tyre dhe së dëshmitarët do të kishin të bënin me ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb