Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar një takim me Ghislaine Maxwell, ish-aleaten e biznesmenit Jeffrey Epstein, për të diskutuar rreth çështjes.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche tha se prokurorët do të kërkojnë të dinë “çfarë di ajo”.

Avokatët e Maxwell thanë për BBC-në se ata janë në diskutime me qeverinë dhe se Maxwell do të “dëshmojë gjithmonë në mënyrë të vërtetë”.

Presidenti Donald Trump, i pyetur nga mediat, tha se “tingëllon e arsyeshme” që Departamenti i Drejtësisë të kontaktojë ish-bashkëpunëtoren e Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, për një takim.

«Nuk e di, por mendoj se është diçka që do të ishte, tingëllon e përshtatshme», u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale kur u pyet për planet.

“Ai është shumë i zgjuar”, tha presidenti për Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Todd Blanche, i cili njoftoi më herët të martën se synon të takohet së shpejti me Maxwellin.

“Nuk e dija që do ta bënin. Nuk e ndjek shumë këtë. Është një lloj gjuetie shtrigash, thjesht një vazhdim i gjuetisë së shtrigave”, shtoi Trump.

Kërkesat për më shumë transparencë rreth çështjes Epstein janë shtuar në javët e fundit, përfshirë edhe nga mbështetës të Presidentit Donald Trump.

Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, deklaroi se kjo dhomë nuk do të votojë për publikimin e më shumë dosjeve deri në shtator.

Epstein, i dënuar për krime seksuale, vdiq në qelinë e tij të burgut në New York në vitin 2019, gjatë kohës që priste gjyqin për akuzat e ngritura ndaj tij.

Më herët këtë javë, Trump kërkoi që Prokurori i Përgjithshëm Pam Bondi të drejtojë një kërkesë në gjykatë për publikimin e dëshmive të gjyqit të madh të lidhura me çështjen Epstein.

Maxwell u dënua me 20 vjet burg në qershor të vitit 2022 për ndihmën që i dha Epstein në abuzimin seksual të vajzave të reja.

Maxwell gjithashtu kërkoi më herët gjatë këtij viti që Gjykata e Lartë të shqyrtonte apelimin e saj, por Departamenti i Drejtësisë kërkoi refuzimin e këtij kërkese javën e kaluar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb