Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se regjistrime ambientale të biznesmenit Gerond Meçe dëshmojnë, sipas tij, se bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, është “padronia e tenderave në AKSHI”.
Gjatë një deklarate publike, Berisha tha se këto materiale janë bërë publike prej tij rreth dy vite më parë dhe, sipas tij, nuk janë përgënjeshtruar asnjëherë. Ai theksoi se në regjistrimet ambientale, Gerond Meçe i pohon një personi që i ka kërkuar ndihmë për të fituar tendera disa fakte që, sipas Berishës, implikojnë drejtpërdrejt persona të lidhur me kryeministrin.
Sipas Berishës, në këto regjistrime thuhet se kompania ABS Solution i përket Armand Frangut dhe se ajo ka fituar të gjithë tenderat në AKSHI. Ai shtoi se, sipas Meçes, fituesit e tenderave në këtë institucion përcaktohen nga Armand Frangu.
“Gerond Meçe pohon gjithashtu se Linda Rama është patronazhistja e prokurimeve. Nuk përmendet Mirlinda Karçanaj, por Linda Rama. Linda Rama është padronia e tenderave”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se këto deklarime ndodhen, sipas tij, në një dosje që ka qenë në posedim të një prokuroreje të SPAK dhe se ka pasur përpjekje për asgjësimin e saj. Megjithatë, Berisha tha se në momentet e fundit është konfirmuar se dosja ekziston dhe ndodhet aktualisht në SPAK.
