Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, duke u ndalur te hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Sipas Hoxhës, dosja hetimore ndaj Ballukut është voluminoze dhe hetimet janë shumë më të gjera se sa çfarë është bërë publike deri tani.

“16 mijë faqet ndaj Ballukut janë vetëm maja e ajsbergut. Hetimi pasuror ka ecur shumë dhe ka disa çështje të tjera që janë nën hetim. Ndaj SPAK është i qetë”, u shpreh gazetari.

Ai shtoi se deklaratat e drejtuesit të SPAK për dënime që mund të shkojnë deri në 35 vite burg tregojnë se hetimi ndaj ish-zv/kryeministres është i thelluar.

Hoxha përdori edhe një metaforë për të përshkruar raportin mes korrupsionit dhe institucioneve të drejtësisë në vitet e fundit.

“Kanë kaluar 10 vite me bashkëjetesë të maces me minjtë e korrupsionit. Macja ka qenë e vogël në vitin 2016 dhe tani është rritur dhe po gjuan kryeminjtë. Kjo bashkëjetesë nuk mund të vijojë dhe kemi arritur në një pikë ku edhe politika mashtruese është përballë institucioneve”, tha ai.

Sipas tij, qëndrimet e fundit të kryeministrit Edi Rama për këtë çështje tregojnë se përplasja mes politikës dhe drejtësisë po afrohet drejt një momenti vendimtar.

“Ajo që bëri Edi Rama sot është lajm i mirë sepse ka afruar përplasjen finale me drejtësinë. Kjo nuk është vetëm me SPAK dhe GJKKO që janë në punën e tyre, por është përplasje edhe me mentorët e tyre, me ata që i kanë garantuar këto institucione për shqiptarët”, u shpreh Hoxha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb