Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit dhe qëndrimet ligjore lidhur me çështjen penale që po zhvillohet ndaj klientit të tij.
Ndreca u ndal te argumentet e përdorura në dosje, duke e cilësuar si një absurditet konceptual faktin që autoriteti i zgjedhur me votë nga qytetarët shihet si një pengesë apo rrezik për procedurat hetimore.
Sipas avokatit mbrojtës, formulimi i dokumentuar në këtë proces prek parimet bazë të funksionimit të një sistemi demokratik, ku zyrtarët mbajnë mandate legjitime.
“Prokurori e konsideron autoritetin demokratik si rrezik për hetimin. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë në mënyrën si e ka formuluar prokurori. Ai e sheh autoritetin që buron nga vota si rrezik penal, që është një absurd demokratik. Sa i përket lobimit, ajo është e drejta për të informuar këdo që është i gatshëm për të dëgjuar. E drejta për t’u shprehur për zotin Veliaj është kthyer në kosto me pasojën që të qëndrojë në burg,” u shpreh Ndreca.
Më tej, Ndreca ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si ka nisur fillimisht ky procedim, duke pretenduar se bëhet fjalë për një kallëzim që ka hyrë në rrugë të paqarta në organin e akuzës dhe nga një burim fiktiv.
“Qartësisht duket se është një proces i nisur në mënyrë fiktive, që kur është nisur nga një person fiktiv. Akoma nuk kemi përgjigje se si ka hyrë ky kallëzim në SPAK. Nuk na kthehet përgjigje për këtë, kjo tregon sa seriozë kanë qenë prokurorët në këtë çështje dhe çfarë shënjestrimi ka pasur. Veliaj është i vetmi zyrtar në Shqipëri në këto 35 vjet që i është bërë një vetting i tillë penal,” përfundoi avokati Plarent Ndreca.
