TIRANË

Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” dosjen hetimore të protestës së 8 janarit para selisë së Partisë Demokratike, të thirrur nga Sali Berisha.

Pjesë e dosjes janë edhe dëshmitë e disa prej të arrestuarve si autorët e dhunës së ushtruar ndaj godinës së selisë blu, ku shqyen e shkatërruan të gjitha dyert e dritaret.

“BalkanWeb” sjell pjesë të dosjes hetimore, me dëshmitë e të arrestuarve, mes të cilëve është edhe reperi i njohur “Stresi”, i cili pranon se ka qenë pjesë e protestës, por se nuk ka ushtruar dhunë.

Pjesë nga dosja hetimore:
Alban Ilir Zajmi – I pyetur si person nën hetim ai ka deklaruar se ka marrë pjesë në këtë protestë si simpatizantë i PD-së. Në prën 11:30 ka hyrë në oborrin e kësaj partie nga krahu i xhamisë dhe ka qëndruar në oborr.
Sipas Raport-shërbimit rreth orës 12:50, Alban Zajmi është konstatuar duke qëlluar me gurë te selia e PD-së ndaj godinës. Për këtë arsye është shoqëruar në komisariat.

Arkimed Sali Lushaj – I pyetur si person nën hetim ai ka deklaruar se nuk e pranon akuzën, pasi ai nuk ka kryer asnjë vepër penale nga ato që policia i ka listuar. Ai ka marrë pjesë në protestë, por nuk ka kryer asnjë veprim të kundërligjshëm. Ai shprehet se nuk e kupton arsyen e arrestimit në kushtet kur nuk ka kryer asnjë vepër penale e veprim të kundërligjshë. Prova të tjera renditur për të nuk janë sjellë.

Hajredin Asllan Gjura – I pyetur si person nën hetim ai ka deklaruars e nuk ka asnjë lidhje me protestën, por ka ardhur në Tiranë për probleme vetjake. Ai ka telefonuar vëllain e tij dhe e ka pyetur se ku ishte dhe ai i është përgjigjur se ishte te rruga e Elbasanit, dhe pasi janë takuar të dy bashkë kanë shkuar për tek ura në drejtim të Toptanit. Ai thotë se shkopinjtë i ka gjetur në rrugë dhe ngaqë është hallexhi i ka marrë se i duheshin për t’i përdorur në shtëpinë e tij, pasi i vetmi mjet jetese që ka është punimi i tokës dhe atë e bën me punë krahu. Ka deklaruar gjithashtu se ka tre fëmijë të mitur ku më i madhi është 13 vjeç.
Nga Raport-shërbimi rezulton se nga forcat policore rreth orës 12:30 u konstatuan dy vetë duke kryer veprime të dhunshme kundër punonjësve të policisë. Ata u mbajtën nën vëzhgim dhe, pas përfundimit të protestës, u ndaluan. Hajredin Gjura në momentin e ndalimit kishte në duar dy shkopinj druri që janë sekuestruar.

Denis Qemal Luku – I pyetur si person nën hetim ai ka deklaruar se nuk e pranon akuzën, sepse është anëtar i PD dhe aty ka qenë si anëtar i kësaj partie për një organizim të ligjshëm, për të cilin janë informuar autoritetet përkatëse. Ai shprehet se nuk është personi në pamjet që i janë treguar por, edhe nëse ka qenë, leva aty është gjetur dhe nuk ka marrë ai ndonjë levë me vete. Ai thotë se bashkë me të tjerë ka dashur të hyjë paqësisht brenda, por duke qenë se dera ishte e mbyllur përdorën sende për ta hapur. Ai shprehet se nuk ka kërcënuar njeri dhe nuk ka prishur rendin e qetësinë publike, pasi ka qenë në një mjedis të mbyllur. Ai thotë se nuk ka penguar qarkullimin dhe nuk ka rrezikuar asnjë jetë personi. Nuk ka shkatërruar asnjë pronë, por ka hapur derën e partisë së tij, subjektit që përfaqëson dhe nuk ka kallëzim nga subjekti që përfaqëson në lidhje me këtë. Sipas tij, shoqërimi i tij është i paligjshëm.
Ka fotografi që e tregojnë me një levë duke u orvatur të hapë derën e jashtme në katin e parë të PD-së.

Valdrin Hido Dervishaj – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në lidhje me filmimet që e tregojnë duke kryer veprime të dhunshme për të hapur derën e selisë së PD-së, ai pretendon se më 12:00, kanë shkuar në aeroportin e Rinasit për të shoqëruar nipin për në Norvegji. Ai ka qenë me vëllanë dhe tre djem xhaxhallarësh dhe një të quajtur Orges, student mjekësie. Janë afruar në Tiranë, kanë parguar mjetin në qendrën tregtare XX dhe kanë shkuar në kafen X, ku po porosisnin diçka dhe aty janë gjetur nga punonjës policie që i kanë shoqëruar. Ai thotë që nuk ka asnjë lidhje me protestën, nuk e di ku ndodhet selia e PD-së dhe nuk orientohet dot në Tiranë.

Arben Teki Dervishaj – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në lidhje me filmimet që e tregojnë duke kryer veprime të dhunshme për të hapur derën e selisë së PD-së, ai pretendon që më 13:00 kanë shkuar në aeroportin e Rinasit për të shoqëruar nipin për në Norvegji. Ai ka qenë me vëllanë dhe tre djem xhaxhallarësh dhe një të quajtur Orges, student mjekësie. Janë afruar në Tiranë, kanë parguar mjetin në qendrën tregtare XX dhe kanë shkuar në kafen X, ku po porosisnin diçka dhe aty janë gjetur nga punonjës policie që i kanë shoqëruar. Ai thotë që nuk ka asnjë lidhje me protestën, nuk e di ku ndodhet selia e PD-së dhe nuk orientohet dot në Tiranë.
Orges Afrim Deërvishaj – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në lidhje me filmimet që e tregojnë duke kryer veprime të dhunshme për të hapur derën e selisë së PD-së, ai pretendon që më 12:00, ka qenë në një banesë në Tiranë, mandej ka shkuar te pedonalja për të pritur kushërinjtë e tij për një kafe te bar-kafe X, kur po porosisnin diçka aty janë gjetur nga punonjës policie që i kanë shoqëruar. Ai thotë që nuk ka asnjë lidhje me protestën, nuk e di ku ndodhet selia e PD-së.

Qëndrim Besim Dervishaj – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në lidhje me filmimet që e trajtojnë duke hedhur sende të forta drejt selisë së PD-së, ai pretendon që kanë shkuar në aeroportin e Rinasit për të përcjellë nipin për në Norvegji. Ai ka shkuar në zyrën e avokatisë XX, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ka shkuar me mjet në qendrën tregtare X, ka parkuar mjetin në katin-III, ka shkuar te lokali X, ku do të takohej me kushërinjtë Arben Dervishaj, Valdrin Dervishaj, Orges Dervishaj, ka shkuar në tualet dhe, kur është kthyer, kamarieri i ka treguar që të tjerët i kishte marrë policia. Ai është afruar në furgonin e policisë dhe atje ka kërkuar arsyen e shoqërimit të tyre. Me dëshirën e tij është futur në mjetin policor dhe kërkon që t’i jepet arsye e saktë se përse mbahet i shoqëruar, kur nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm, sepse nuk i intereson kjo çështje partiake, që zhvillohet në Shqipëri.

Arben Hyda Dervishaj – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime procesverbale i cunguar.
Raporti i shërbimit për të pesë këta të lartpërmendur nga Kosova përshkruan që ata kanë qenë pjesë e njerëzve që ndodheshin jashtë godinës së PD-së dhe që kanë hedhur sende e objekte të forta drejt selisë, janë ndarë nga turma dhe kanë shkuar e janë ulur në kafen X; pas kësaj, forca policore janë afruar dhe i kanë shoqëruar në komisariatin e policisë nr. 1 Tiranë.

Albano Gjovalin Stolaj – I pyetur si person nën hetim në lidhje me intervistën në mjediset e PD-së dhe dyshimet se ka marrë pjesë në veprime të dhunshme ka deklaruar se në protestë ka qenë si anëtar i PD dhe sekretar i degës nr. 5. Ai nuk është dakord me akuzat që i janë treguar nga policia.
Në lidhje me këtë shtetas është mbajtur procesverbal këqyrje-marrje pamje filmike, datë 08.01.2022, me pamje të administruara nga mediat ku shihet Albano Stolaj duke dhënë intervistë nga brendësia e selisë së Partisë Demokratike.

Ber Arben Begeja – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime për akte të dhunshme ai pretendon që në protestë ka shkuar si kryetar seksioni i PD-së, por nuk pranon të ketë kryer asnjë veprim të dhunshëm.

Duleman Hasan Marku – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, në prani të avokatit, në lidhje me pamje filmike që e tregojnë duke hyrë me dhunë në mjediset e selisë së PD-së, ai nuk pranon të shpjegojë dhe dëshiron të përfitojë nga kjo e drejtë më vonë.
Raporti i shërbimit datë 08.01.2022, ora 15:00, në lidhje me këqyrje pamjesh filmike e tregon atë duke hyrë dhunshëm në mjediset e PD-së. Për këtë të dyshuar është kryer këqyrje trupore e shoqëruar me fotografi.

Mirash Zef Rrathori, arrestuar më 08.01.2022, ora 20:40; – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, në prani të avokatit, në lidhje me kapjen si pjesë e një grupi vetash me shkopinj në duar, pas selisë së PD-së, ai pretendon që ka qenë i ulur në trotuar sepse nuk ndihej mirë me shëndet, dy policë i janë afruar dhe e kanë kapur për krahu dhe e kanë shoqëruar. Ai pretendon që kishte lënë mjetin e tij në parkingun e qendrës tregtare X, ndodhej në Tiranë për probleme vetjake dhe nuk ka qenë pjesë e protestës.
Raporti i shërbimit datë 08.01.2022, tregon që një patrullë policore e DVP Tiranë ka vënë re më 13:40, pas selisë së PD-së, te hyrja e qendrës tregtare, një grup individësh të organizuar, me shkopinj në duar, nën drejtimin e një djali rreth 180 cm shtatlartësi, i shëndoshë, bardhosh, flokërënë, me xhup të zi me mbishkrimin “Moncler”; në orën 13:45, ndërsa i vëzhgonin, një mashkull rreth 40 vjeç, me të zeza, me urdhër të drejtuesit të grupit, u ka marrë shkopinjtë e drurit dhe është larguar me shpejtësi pa u arritur të ndalohet prej policëve. Ndodhur në kushte të pavarazisë në forca, kanë kërkuar ndihmën e forcave Shqiponja, dhe kanë arritur të shoqërojnë vetat e tjerë të mbetur të grupit; ata u identifikuan si Emiliano Çekini, Klavdo Çekini, Mirash Rrathtori e Gjon Pepaj.
Raporti i shërbimit i patrullave Shqiponja tregon pak a shumë të njëjtat rrethana.

Emiliano Kolë Çekini – I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, në prani të avokatit, në lidhje me kapjen si pjesë e një grupi vetash me shkopinj në duar, pas selisë së PD-së, ai pretendon që ka qenë në afërsi të qendrës tregtare me vëllanë e tij, sepse interesohej për të vlerë disa ngrohëse dhe ndriçues për sipërmarrjen e vet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb