Këtë të hënë në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet seanca e dosjes “Partizani”.

Mësohet se sot mbrojtja do të parashtrojë fakte për të kundërshtuar akuzën e SPAK. Në seancë ka mbajtur fjalën edhe Jamarbër Malltezi i cili ka lexuar 200 faqe kundërshtime.

“Nuk është ndjekje penale, por përndjekje politike. Ka shkelje konventore ndërkombëtare. Që në 1215, Magna Carta ndaloi akuzat pa baza dhe dënimet pa fakte. Sot kemi një situatë të tillë. Enkeleda Millonai është emëruar nga Taulant Balla, i cili ka kallëzuar dosjen në emër të Partisë Socialiste. Prokurori Arben Kraja ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit. Unë kam qenë një nga studentët që e kanë kundërshtuar sistemin komunist sepse grabiste pronat e qytetarëve dhe si e tillë ai nuk mund të jetë objektiv në këtë gjykim”, tha ai.

Nga ana e saj, Millonai ka kërkuar që t’i tërhiqet vërejtje sepse objekti i këtij gjykimi nuk është akuza ndaj prokurorëve.

“Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje sepse objekti i këtij gjykimi nuk është akuza ndaj prokurorëve. Kërkoj që i pandehuri të bëjë parashtrime bazuar mbi faktet e këtij procesi”, tha ajo.

Gjykata i jep të drejtë SPAK, ndalon të pandehurin, Jamarbër Malltezi, të përdorë terma që nuk lidhen me objektin e gjykimit.

Më herët GJKKO ndaloi Malltezin t’u drejtohej prokurorëve të SPAK si “prokurorë politikë”.

“Prokurorët politik e kam artikuluar edhe më parë pse qenka sakrilegj tani? Po deshët shtoni një akuzë të re për agjitacion e propagandë, se kemi të pushkatuar më parë. Fakt është edhe ky”, duke treguar gazetën greke që botoi vendimin e gjykatës për dënimin e Irena Gjokës në shtetin helen për falsifikim dokumentesh. Irena Gjoka ka fshehur faktin që ishte shkarkuar nga Sali Berisha në 1996. Prokuroria e Përgjithshme, qysh në raportimin në Kuvend ka deklaruar se vendimi me vulë apostile që provon se Irena Gjoka është dënuar, është autentik. Kjo do të thotë që PP e kishte provuar dënimin e saj, por vonoi të kryente verifikimin. Irena Gjoka ka qenë në konflikt të plotë interesi në këtë çështje”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb