Avokati Ledio Braho, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar hetimet e SPAK ndaj figurave të politikës, duke u ndalur te dosjet që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë dhe te pritshmëritë për zhvillimet e mëtejshme në çështjen e Belinda Ballukut.
Braho u shpreh se prokurorët e SPAK, në bashkëpunim me oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), kanë mekanizmat e nevojshëm për të kryer hetime, por theksoi se korrupsioni dhe krimi zgjedhor paraqesin vështirësi të veçanta në zbulimin dhe dokumentimin e tyre.
Sipas tij, krimi zgjedhor kërkon ndërhyrje dhe hetim në kohën kur kryhet, ndërsa hetimet për korrupsionin kërkojnë më shumë punë dhe burime. Në këtë kontekst, Braho vlerësoi si ndihmë shtimin e rreth 40 oficerëve të rinj në BKH.
Ai theksoi gjithashtu se, në hetimin e krimit të organizuar, një burim i rëndësishëm informacioni ka qenë bashkëpunimi me partnerët e huaj.
Duke folur për dosjet që ai i konsideron më të rëndësishme të SPAK, avokati u ndal te çështja e Belinda Ballukut, të cilën e cilësoi si një nga dosjet më të mëdha dhe me ndikim të konsiderueshëm.
Braho shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Balluku vijon të ketë pushtet dhe se çështja në fjalë mbetet ndër dosjet më të rëndësishme për shkak të peshës politike që mbart.
“Prokurorët e SPAK së bashku me oficerë të BKH kanë të gjitha mekanizma për të kryer hetime. Korrupsioni është vepër e vështirë për t’u hetuar, si është edhe krimi zgjedhor. Sepse krimi zgjedhor duhet të hetohen në momentin që kryhen. Edhe për korrupsionin, do të duhet më shumë punë . Po rekrutohet oficerë të rinj të BKH rreth 40 oficerë të rinj dhe kjo është ndihmë e madhe. Ndërsa burimi kryesor i hetimit për krimin e organizuar, kanë qenë nga të huajt. Por që është cënuar rehatia sidomos e klasës politike, kjo është e sigurt.
Unë besoj se dosja më e nxehtë është dosja Balluku. Pavarësisht se dosja e SHISH sepse është e paprecedent ë një drejtuesi të SHISH të merret në hetim. Por kur flasim për dosjen Balluku është numri i dy i pushtetit në Shqipëri. Dhe besoj se ajo ka akoma pushtet. Dhe mendoj që është nga dosjet më të mëdha dhe nga dosjet më me efekt. Patjetër që pritej të SPAK të çohej një tjetër kërkesë, nuk ka ndodhur. Ka deklaratë nga mazhorancë që nëse vjen akuza për korrupsion atëherë e japim autorizimin, por këtë nuk e dimë. Por shpesh janë edhe taktika nga SPAK sepse lënia e lirë e një personi vjen me hetime.
Unë e shoh sipas informavcioneve nga media. Thërriten persona të tjerë që kanë dijeni. Duket që hetimet janë shumë me ritëm të kënaqshëm dhe ky ritëm që është dhënë së fundmi do të sjellë edhe një produkt për zonjën balluku apo për persona të tjerë”, tha ai.
