Universiteti “Luarasi” vazhdon të konsolidohet si një nga institucionet më inovative në arsimin e lartë shqiptar, jo vetëm përmes programeve akademike, por edhe përmes pjesëmarrjes aktive në projekte ndërkombëtare. Dr. Dael Dervishi nga Departamenti i së Drejtës Publike theksoi në News 24 se Universiteti “Luarasi” është sot lider dhe koordinator i një sërë projektesh të financuara nga Komisioni Europian, në kuadër të programit Erasmus+.
Sipas Dr. Dervishit, aktualisht janë 11 projekte aktive që synojnë rritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale të stafit dhe përmirësimin e infrastrukturës universitare. Universiteti disponon laboratorë dhe pajisje të teknologjisë së fundit, duke krijuar një ambient modern dhe funksional për studentët dhe pedagogët.
Përmes këtyre projekteve, studentët e “Luarasit” kanë mundësinë të ndjekin semestre në universitete partnere të Bashkimit Europian, ndërsa pedagogët përfitojnë nga shkëmbime akademike me kolegë ndërkombëtarë. Në Departamentin e së Drejtës Publike japin mësim pedagogët më të kualifikuar në vend, duke garantuar cilësi të lartë në arsim dhe formim profesional të studentëve.
Dr Dael Dervishi, Departamenti i së Drejtës Publike, Luarasi: Zyra që unë drejtoj menaxhon projekte të ndryshme ndërkombëtare, ku Universiteti Luarasi është qoftë partnere, qoftë lider apo koordinator projektesh dhe me anë të projekteve, ne ngremë kapacitetet akademike dhe profesionale të stafit të universitetit dhe përmirësojmë infrastrukturës e Universitetit, që ka pajisjet më moderne. Aktualisht ne kemi 11 projekte, që po zhvillohen, janë projekte që financohen nga Komisioni Europian, në kuadër të programit Erasmus. Universiteti Luarasi ka laboratorë e pajisje të teknologjisë së fundit. Kemi arritur që të bëhemi pjesë e një rrjeti ndërkombëtar universitar, nga i cili përfitojnë studentët, ku studentët bëjnë semestre në vende të BE-së. Edhe pedagogët tanë shkëmbejnë eksperienca me kolegët e tyre në Europë, edhe pedagogët e huaj vijnë pranë Universitetit tonë. Tek Departamenti i së Drejtës Publike japin mësim pedagogët më të mirë të fushës.
