Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka reaguar në lidhje me propozimin për draftin e Kodit të ri Penal. Në një reagim për BalkanWeb, theksohet se ky është një ligj themelor që kërkon kohë të mjaftueshme dhe një proces të gjerë konsultimi publik.
OSBE bën të ditur se nuk ka qenë e përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, por aktualisht po shqyrton draftin e publikuar. Ajo shton se është e gatshme të ofrojë rekomandime konkrete për qeverinë dhe parlamentin e ri.
Krerët e institucioneve të drejtësisë dhe shoqata e gazetarëve kanë dalë kundër draftit të ri të Kodit Penal. Pas kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shprehu kundërshtime, duke theksuar se drafti rrezikon të minojë drejtësinë.
Rezerva ka shprehur edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i cili ngriti pyetjen nëse ka realisht nevojë për këto ndryshime.
