Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit nga Partia Socialiste e Shqipërisë të draftit të ri të Rregullores së Kuvendit, pas rrëzimit të saj nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi nismën e socialistëve si një veprim të njëanshëm dhe provokues, duke theksuar se rregullat e funksionimit të Kuvendit nuk mund të ndryshohen sipas vullnetit të vetëm të shumicës.

Sipas tij, imponimi i rregullave nga njëra palë përbën “dhunë të shumicës ndaj pakicës” dhe cenon bashkëjetesën demokratike brenda institucionit ligjvënës. Ai shton se me këtë qasje mazhoranca po nxit bllokimin e funksionimit normal të Kuvendit dhe po pengon opozitën në ushtrimin e detyrës së saj kushtetuese.

Bardhi rikujton se ndryshimet e Rregullores në vitin 2012 u miratuan me konsensus dhe ishin pjesë e kushteve të vendosura nga Komisioni Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Në përfundim, ai akuzon mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama për mungesë reflektimi dhe për përdorim të vazhdueshëm të Rregullores si mjet presioni ndaj opozitës.

Reagimi i plotë:

Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara.

Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.

Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.

Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb