Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë publikisht dorëheqjen e Ermal Dredhës nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Rama e përshkroi situatën në Bashkinë e Vlorës si një shfaqje të vetëkënaqësisë dhe karshillëkut, duke theksuar se problemet nuk lidhen vetëm me një individ, por me një mentalitet më të gjerë në administratën lokale.
“Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit. Dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës, e një haradheje të tërë njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din e iman me mandatin e drejtorit,” deklaroi Rama me tone kritike, duke shtuar se shumë prej këtyre individëve ishin ngarkesë për qeverinë dhe silleshin si “pasagjerët e autobusit të Kuçit”.
Rama nënvizoi se dorëheqja e Dredhës nuk është një rast i izoluar, por një sinjal që kërkon reflektim më të gjerë nga strukturat politike dhe administrative të PS-së në nivel vendor. Ai e cilësoi Dredhën si një person që e do dhe ndjen Vlorën, por fakti që ka qenë për një kohë të gjatë larg qytetit më parë “e ka zbutur më shumë seç duhet”.
“Do ishte problematikë nëse do kishte lidhje me kryetarin e bashkisë, i cili në atë situatë është më i miri. Por nuk është vetëm Vlora. Dorëheqja e Ermalit, pas bisedave që kemi bërë, është tregues i një njeriu që e ndjen dhe e do Vlorën,” tha Rama, duke lënë të kuptohet se largimi ishte i koordinuar dhe me vetëdije.
(BalkanWeb)
