Natën e 18 majit 1990, vëllezërit Gjek dhe Vat Beci, 35 dhe 25 vjeç, po tentonin të arratiseshin në Ish-Jugosllavi, përmes Adriatikut, kur u qëlluan nga rojat bregdetare.

“Si pasojë, u plagosa unë dhe më vonë, vranë vëllanë tim në breg”, tha Gjek Beci për Kujto. Beci u dënua me dy vjet heqje lirie.

“E kam bërë kërkesën [për dëmshpërblim] pak me vonesë”, tha Beci, dosja e të cilit vetëm sa është pranuar.

Vetëm 6 për qind e mbi dyzet e dy mijë personave që, sipas Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, kanë status të përndjekuri në Shqipëri janë dëmshpërblyer plotësisht, dhe sipas të dhënave zyrtare procesi mund të përfundojë pas tri dekadash. Me këtë ritëm, kur dy e treta e të përndjekurve politikë në Shqipëri ende nuk dëmshpërblehen, pritja për dëmshpërblim që nga rënia e komunizmit në 1991-shin mund të jetë më e gjatë se vetë diktatura.

Et’hem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe ish-i internuar, tha për Kujto që autoritetet “nuk po japin as [dëmshpërblimet për] këto [dosje] që njerëzit i kanë dorëzuar në kohë”.

Më shumë se 17 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit për dëmshpërblimet, gati 77 për qind e dosjeve të miratuara janë ende duke pritur këstin e radhës.

Kujto, gjatë muajve mars-maj 2025, zhvilloi një pyetësor online ku morën pjesë 169 persona ku 106 janë vetë ish-të dënuar politikë ose trashëgimtarë të ish-të dënuarve që nuk jetojnë, prej të cilëve 70 janë përfshirë në dëmshpërblim.  Nga këta vetëm 11 vetë janë dëmshpërblyer plotësisht.

(As) në gjysmë të rrugës

Sipas raportit për vitin 2023 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, “nëse buxhetimi dhe çelja e fondit vazhdon me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet pas afërsisht 29 vitesh”.

Whatsapp Image 2025 07 19 At 08.34.40
Whatsapp Image 2025 07 19 At 08.34.40

Edhe Ministria e Financave pranon se deri më 31 dhjetor 2024 është lëvruar për dëmshpërblimet më pak se gjysma e fondit prej 52.6 miliardë lekësh të caktuar për këtë gjë. Sipas Ministrisë, janë dëmshpërblyer plotësisht vetëm 19% e dosjeve të miratuara: 1,987 ish-të burgosur, 323 viktima të ekzekutuara dhe 260 dosje të likujduara para 2007-ës.

Detyrimi do të mund të shlyhet më herët nëse shfrytëzohet fondi i këtij viti prej 1.4 miliardë lekësh, 17 % më i lartë se i 2024-ës dhe nëse mbahen  premtimet e qeverisë se buxheti do të vijojë me rritje çdo vit.

Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve në pyetësor, nuk janë optimistë. Rreth 71 për qind janë përgjigjur që procesi nuk do të përfundojnë asnjëherë ose që nuk e dinë kur mund të përfundojë.

Sipas studiuesit në fushën e së drejtës, Bledar Abdurrahmani, skema aktuale e dëmshpërblimeve, “ka cenuar standardet bazë kushtetuese”.

“Reformat reparatore të drejtësisë tranzicionale në Shqipëri, sikundër është ajo e dëmshpërblimit të të dënuarve politikë, në vend që të ishin shembulli i ndjesës dhe drejtësisë, krijuan padrejtësi të reja”- tha ai për Kujto, duke shtuar se kjo shkel të drejtën për: siguri juridike, pronë, një proces të rregullt ligjor, mosdiskriminim dhe ankim efektiv.

Procesi has në burokraci të gjata. MF pranoi se 545 dosje të miratuara e kanë humbur këtë të drejtë për shkak të mosdorëzimit në kohë të dokumenteve.

Dëmshpërblimi mund të mos ekzekutohet kur trashëgimtarët e radhës së dytë ndahen nga jeta ose kur ndonjë trashëgimtar nuk e dorëzon dosjen.

Filip Guraziu nënkryetar i Shoqatës së ish- të Përndjekurve Politikë, në Shkodër shkruan në pyetësor se “kjo është e qëllimshme, për mendimin tim”.

Ngjashëm e bija e një ish-të dënuari politik u përgjigj që autoritetet e “shtyjnë procesin me shpresën se s’kanë për të paguar asnjëherë”.

Ndryshime ligjore pa rezultate konkrete

Sipas Angjelin Dabërdakut, ish-i burgosur në Spaç, që ish-të përndjekurit të merrnin këstin e dytë, “u desh me djeg trupin Lirak Bejko”. Bejko u vetësakrifikua, në tetor 2012, gjatë grevës së urisë së ish-të dënuarve politikë që kërkonin dëmshpërblimin e viteve të burgut.

Kësti i dytë u dha rreth një vit më vonë, në 2013.

Procesi ka kaluar në disa kalvarë ligjore, por pa arritur të zgjidhë problemin. Ai nisi në 1991-in, u plotësua në 2007-ën me miratimin e skemës aktuale dhe u ndryshua disa herë më pas. Ndryshimet kryesisht përshpejtuan dëmshpërblimin e ish-të burgosurve gjallë, por e ngadalësuan për familjarët e atyre që kanë vdekur.

Në 2014-ën, u vendos që 70 % e buxhetit për të përndjekurit të shkonte për ish-të dënuarit e gjallë në momentin e pagesës dhe për fëmijët e mitur të atyre që nuk jetojnë. Kjo kategori ka marrë 22 këste deri tani.

Nuk dihet sesa ish-të burgosur jetonin kur nisi procesi, por deri tani janë dëmshpërblyer plotësisht rreth 14 për qind e 14,563 personave që dolën gjallë nga burgjet e diktaturës.

Sipas MF vetëm 23 ish-të burgosur gjallë, nga ata që kanë dorëzuar kërkesën në 2009, po presin akoma këstin e fundit, ndërsa gjithë të tjerët janë dëmshpërblyer plotësisht.

Ndërkohë 7 nga 9 ish-të burgosur që morën pjesë në pyetësor, thanë se janë dëmshpërblyer plotësisht.

Ministria e Drejtësisë, MD, thotë se janë ende “në proces shqyrtimi/verifikimi” 728 aplikime të dorëzuara deri më 1 korrik 2009, ndërsa 3,036 kërkesa të tjera të dorëzuara deri në dhjetor të 2017 nuk janë marrë në shqyrtim, në pritje të ndryshimeve ligjore.

Zgjatja me vite e procesit, ka bërë që shumë ish-të dënuar politikë të ndahen nga jeta pa u dëmshpërblyer dhe sot janë familjarët që presin, pa ditur se kur do të dëmshpërblehen.

MF informon se në proces janë ende rreth 76.6% e dosjeve të miratuara, pra 10,355 dosje, dhe se “po vijohet me pagesat e këstit të katërt” për familjarët.

Nga 95 trashëgimtarë në pyetësor, 61 përfitojnë dëmshpërblim dhe vetëm 4 janë dëmshpërblyer plotësisht.

“U bëmë 63 vjeç unë, mami 90 vjeç, vëllezërit të dy u plakën dhe presim akoma”, shkruan e bija e një të pushkatuari.

E pyetur nga Kujto për shkaqet e vonesave, MF fajësoi ish-të përndjekurit që sipas tyre nuk e dorëzojnë dokumentacionin në kohë dhe shkaktojnë vonesa “3 deri në 4 vjet” nga kësti në këst.

Të internuarit, jashtë skemës

Pjesa dërrmuese e të internuarve në kampe me tela me gjemba, që në Shqipëri funksionuan deri në tetor 1953, nuk dëmshpërblehen pasi shteti nuk ka dokumente arkivore për dënimin e tyre.

Ligji parashikon për këta të internuar dëmshpërblim 1,000 lekë për ditë internimi. Ndërkohë 4,886 aplikime nga kategoria e të internuarve dhe dëbuarve pas 1954-ës, presin miratimin nga qeveria të një skeme pensioni.

Pjerin Alija, një ish- i internuar, së bashku me prindërit e tij,  shkruan në pyetësor se pavarësisht statusit si i persekutuar politik “me vendim gjykate, asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer”.

Ilir Çullhaj, pasardhës i një brezi të internuar, tregon se bashkëshortja e xhaxhait, Bedrie, e internuar në kampin e Tepelenës, sot është mbi 90 vjeç. “Po kur do ta marrë kjo dëmshpërblimin, që sot, nuk stimulohet as me pension, as me strehim, as me kurrfarë gjëje”?!

Mungesë fondesh apo mungesë vullneti politik?

Ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse fondet për dëmshpërblim janë të arsyeshme, por rreth 97 % e pjesëmarrësve në pyetësor mendojnë se procesi duhet të kishte përfunduar tashmë.

Sipas Zenel Drangut, kryetari i Shoqatës me qendër në Shkodër, i dënuar për 17 vjet, fondi për të përndjekurit nuk mjafton që të gjithë të marrin nga një këst çdo vit.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i tha Kujto se sufiçiti buxhetor “diku te 500 milionë Euro” në vit, lejon një fond më të madh.

“Nuk ka vullnet politik”- gjykon ai, pasi “është shumë e realizueshme që shuma prej 270 milionë Eurosh që ka mbetur, të ndahet në 3 vjet”.

Megjithatë, Arben Malaj, ish-ministri i Financave i tha Kujto që “skema financiare e buxhetit për ish-të përndjekurit ka qenë shumë më bujare se e vendeve të tjera dhe shumë më e lartë se mban kurrizi i taksapaguesve shqiptarë”.

Por Drangu thotë se “ne marrim djersën e mundin tonë”, duke numëruar veprat publike të ndërtuara me punën e detyruar: tharja e kënetave, ndërtimi i aeroportit, kombinatet apo stadiumet.

Ligji parashikon një dëmshpërblim 2,000 lekë për çdo ditë dënimi në burg, hetuesi ose spital, që konsiderohet jo-proporcional nga viktimat direkte dhe pasardhësit e tyre.

Reth 62 për qind e pjesëmarrësve, mendojnë se shuma e llogaritur si dëmshpërblim nuk është e drejtë po të merren parasysh vuajtjet, vështirësitë e punës së ish-të burgosurve, apo inflacioni.

“Ata kanë humbur vite të jetës në burgje, kampe pune, apo internime. Përveç kësaj, familjet e tyre janë përballur me diskriminim, përjashtim shoqëror dhe vështirësi ekonomike”- shkruan në pyetësor, Ejona Keqi, e bija e një ish-të burgosuri.

“2 mijë lekë dita është pak e qesharake”, shkruan ish-i burgosuri i Spaçit, Zaim Keqi, që ka punuar në minierë.

“Nuk ka asnjë lloj vlere që mund të të kthejë atë pjesë të jetës që ta kanë vjedhur”, shkruan Nestor Topencarov, që u dënua kur ishte student.

Disa pjesëmarrës e kanë quajtur të padrejtë edhe zbritjen nga dëmshpërblimi të përfitimeve të marra para 2007-ës, si letra me vlerë apo pasuri të paluajtshme.

“Letrat me vlerë humbën fare dhe vlera e banesave [të marra si dëmshpërblim] është llogaritur me vlerë tregu të sotëm, në një kohë që gjithë popullata i mori pothuaj falas”, shkruan Agron Hado, i biri i një ish-të burgosuri, duke iu referuar shumave të ulëta që u paguan nga shqiptarët për privatizimin e banesave, pas rënies së komunizmit.

Fezollari sugjeron “një pension special” sepse skemat e dëmshpërblimit pas ’90-ës nuk i zgjidhin problemet e kësaj shtrese.

Por, për të përndjekurit dëmshpërblimi ka edhe “rëndësi nga ana morale, për hir të drejtësisë që deri tani nuk e kemi gjetur”, siç shkruan Mihaill Pumo, ish-i internuar.

Të penalizuar nga ligji dhe burokracia

Rreth 67 për qind e ish-të dënuarve dhe familjarëve që morën pjesë në pyetësor e konsiderojnë procesin e dëmshpërblimit “të vështirë dhe të lodhshëm”.

Autoriteti për Informim për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, ka bërë publike se nga 1,220 kërkesa të trajtuara që prej vitit 2017, “një në tre, ka rezultuar pa të dhëna arkivore”.

Familjarët raportojnë probleme me dokumentacionin dhe institucionet.

Për shembull, Aldo Renato Terrusi, babai i të cilit ndërroi jetë në burgun e Burrelit, i ka sjellë Kujto përgjigjen e vitit 2011 të MD-së ku shkruhej se Terrusi duhej të aplikonte edhe pse jashtë afatit.

Po ashtu, ka kategori që janë përjashtuar nga skema si: familjarët e të vrarëve për motive politike nga komunistët para 30 nëntorit 1944 dhe të burgosurit politikë “për vepra terroriste”.

“Dokumentet i gjeta të gjitha. Ndryshoi ligji dhe nuk përfituam”, shkruan Ndriçim Mehmeti, gjyshi i të cilit u pushkatua në vitin 1943.

“Ka dy histori”, tha Gjek Beci, i arrestuari gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit. “Historia ime një herë: shteti ka vënë afat për një borxh që ia ka qytetarit”. Ndërsa historia tjetër “komike-tragjike”, sipas tij, është se për të vëllanë që mbeti i vrarë natën e arratisjes, si për çdo të ekzekutuar gjatë diktaturës, ligji parashikon dëmshpërblim sa për 8 vjet burg.

“Ishte shtet vrasës dje, tani është shtet gati tallës,” tha Beci./kujto.al

Linqet e grafikeve

https://www.datawrapper.de/_/2xy2Q/?v=5

https://www.datawrapper.de/_/koHAM/?v=4

I botuar me dicituren sqaruese: Nga familjarët, vetëm 4 janë dëmshpërblyer plotësisht, ndërsa 1 nuk u përgjigj.

https://www.datawrapper.de/_/5E2qq/?v=2

https://www.datawrapper.de/_/RoE1u/?v=4

Diciturat e fotove

Gjek Beci, 70 vjeç, ish-i dënuar politik

Et’hem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ish-i internuar

Ilir Çullhaj, i lindur në internim, në periudhën pas kampeve me tela me gjemba

Angjelin Dabërdaku, ish-i dënuar politik në burgun e Spaçit, sot i dëmshpërblyer plotësisht

Zenel Drangu, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve të Shqipërisë, me qendër Shkodër; ish-i burgosur politik për 17 vjet, 15 nga të cilat në burgun e Spaçit. (Marrë nga Kujto.al)

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb