“Ky proces gjyqësor, është i pazakontë, sepse të pandehurit akuzohen për krime të kryera në emër të ligjit”. Jemi në Nuremberg, një qytet ku dikur prodhoheshin lodra e ku nisi së pari, implementimi i ligjeve kundër hebrenjve. Pas Luftës së Dytë Botërore aty mbahet gjyqi i famshëm i Nurembergut, që dënon nazistët për krime kundër njerëzimit. Bazuar mbi ngjarje të vërteta, Abby Mann shkruan një vepër kushtuar kësaj ngjarjeje, ndërsa regjisori Arben Kumbaro në një intervistë për Neës24 zbërthen shfaqjen “Drejtësi në Nuremberg”. Me 18 aktorë në skenë, pjesa na vë përballë dilemave mbi përgjegjësitë personale e kolektive në kohë shtypjesh. Nga nazizmi te komunizmi e drejtësia e krimet kundër njerëzimit sot, Arben Kumbaro flet për artin e angazhuar, ndërsa sjell në kujtesë shfaqjen “Frikë dhe mjerim në Rajhun e tretë”, një pjesë që u censurua për shkak të mesazhit që jepte ne Shqipërinë paskomuniste.

Kumbaro, ndalet te banaliteti dhe relativizimi i së keqes, te përgjegjësia e individit dhe e shoqërisë, te rritja e të djathtave ekstreme si gjeneze e regjisë së shfaqjes, te skepticizmi te drejtësia dhe si arti arrin të zgjojë ndërgjegjet dhe të vërë në dyshim ato që mendojmë se dinë.

“Duhet të merresh me atë që një regjisor e quan dashuria e babait. E shpjegon kështu: nëse dikush të thotë që je gabim do e paragjykosh atë që ta thotë. Por nëse ta thotë babai nuk e merr për keq se në mes është dashuria e babait. Dhe ky është edhe roli i artit”, thotë Kumbaro.

Në një vend ku komunizmi mbretëroi edhe pas rënies së tij, ajo që ka munguar është një komunist që bëri mea culpa, krahas mungesës së gjyqeve reale që dënuan krimet e komunizmit, siç duhej bërë, çka do të kishte ndihmuar në distancim e dënim edhe moral të ideologjisë dhe atyre që e fuqizuan atë. Vepra e ka një të tillë.
“Ernest Jeningu është fiction, është idealizim dhe kjo bëhet në një vepër artistike. Ai është personazh që jeton mes disa dashurive”, thotë Kumbaro për një prej personazheve që në vepër, bën një mea culpa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb