Deputeti i PD, Qani Xhafa u aksidentua disa kohë më parë, duke drejtuar makinën ndërsa pas testeve rezultoi se kishte qenë në gjendje të dehur. SPAK shpalli sot pretencën dhe kërkoi dënimin e tij me 6 muaj burg.
Megjithatë, prokuroria propozoi që ekzekutimi i dënimit të pezullohet dhe Xhafa të kryejë një vit shërbim prove. Avokati mbrojtës tha se ligjvënësi e ka pranuar ngjarjen ku ishte përfshirë, duke kërkuar aplikimin e masës administrative ndaj tij.
Avokati: Qani Xhafa ka qenë në një darkë familjare. Dhe po kthehej me shokët dhe miqtë e tij. Ai e ka pranuar ngjarjen. Është i arsimuar. Mund të dënohet me masë administrative gjobë për shkeljen e konsumuar.
GJKKO e dënon me 900 mijë gjobë
Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi për deputetin e PD Qani Xhava ta shpallë fajtorë për deklarim mjet në gjende të parregullt, 9 muaj burg, përfundimisht 6 muaj burg konvertim në gjobë 900 mijë lekë dhe pagesa të kryhet brenda një afati 10 ditor pasi vendimi të marrë formë të prerë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË, GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 27, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, me vendimin Nr. 43, datë 19.06.2025 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Qani Xhafa për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt“, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 9 (nëntë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Qani Xhafa, i zbritet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) muaj burgim.
2.1. Në aplikim të nenit 53/a dhe 291, pika 2 e Kodit Penal, zëvendësimin e dënimit me burgim prej 6 (gjashtë) muajsh, me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, prej 900.000 (nëntëqind mijë) lekësh, duke llogaritur një ditë burgim me
pesë mijë lekë, e cila duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë.
- Bazuar në nenin 261/b, 389 të K.Pr.Penale heqjen e masës së sigurimit personal “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar me vendimin nr. 184 datë 13.03.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
- Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga palët brenda pesëmbëdhjetë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 19.06.2025
(BalkanWeb)
