Drejtoresha e Përgjithshme e News24, Anila Jole në një deklaratë për mediat, ka treguar detaje nga aksioni i paprecedentë që Policia e Shtetit bëri mëngjesin e sotëm në Televizionin News24, pa asnjë njoftim.

Në reagimin e saj, Jole pohon se kjo e shtunë është një ditë e trishtë për lirinë e medias. Jole pohoi se u zgjodh pikërisht fundjava dhe një ditë gushti, ku kryesisht gjykatat janë pushim.

REAGIMI
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, ambientet e televizionit News24 u bllokuan nga forcat e Policisë së Shtetit, në prani të z.Ardi Veliu, përfaqësues i shoqërisë “Kayo sha”.

Shoqëria “Focus Media News” sh.p.k., që nga viti 2002, ka respektuar me përpikmëri të gjitha detyrimet kontraktuale të parashikuara në marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës. Deri në momentin e ndërhyrjes, nuk është marrë asnjë njoftim zyrtar, verbal apo me shkrim, për lirimin e ambienteve.

Veprimet e ndërmarra nga z.Ardi Veliu dhe shoqëria “Kayo sha” përbëjnë shkelje të hapur të të drejtës legjitime të përdorimit të këtyre ambienteve nga “Focus Media News” sh.p.k., e cila i shfrytëzon ato në bazë të një marrëveshjeje qiraje në fuqi dhe në këmbim të pagesës mujore të rregullt.

Është e papranueshme që një operator mediatik kombëtar, i pajisur me infrastrukturë teknologjike të specializuar, me vlerë disa milionë euro, të pengohet në ushtrimin e aktivitetit të tij pa asnjë paralajmërim apo afat për të tërhequr pajisjet, bazën e të dhënave të krijuar ndër vite, si dhe sendet personale të punonjësve.

Edhe në rastet e zënies së pronës publike nga subjekte të tjera private, është respektuar procedura e njoftimit paraprak zyrtar dhe publik. Në këtë rast, kjo procedurë nuk është zbatuar.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe shoqëria “Panorama Group” sha, ambientet e së cilës janë zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Aktualisht, stafi redaksional po kryen detyrën në kushte tepër të vështira, duke vijuar transmetimin e informacionit për publikun, pavarësisht pengesave të shkaktuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: