Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin Log. në News24, për të diskutuar rreth situatës me drejtorët në disa bashki, u shpreh se drejtorët në bashki nuk janë zgjedhur nga kryetari i bashkisë por nga interesat e bandave të zonës dhe për ta ilustruar tregoi rastin kur drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit kishte firmosur tendera pa fund për atë që njihet si klani i Suel Çelës në Elbasan.

Sipas Kokës, është një rideminsionim që bandat kanë në zonat përkatëse në lidhje me vendosjen e njerëzve të tyre si drejtorë, qoftë në Vlorë, Fier, Elbasan e të tjerë. Sipas tij, thjesht ka ndryshuar balanca e bandave në këto qytete.

Bledian Koka: “Kjo është republika e drejtorëve. Problemi është se nga lindi? Besoj se drejtorët në bashki nuk janë zgjedhur nga kryetari i bashkisë por nga interesat e bandave të zonës. Dhe për ta ilustruar këtë që po them, para dy muajsh isha në Elbasan në emisionin e koleges Klodiana Lala, ishte rasti kur drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit kishte firmosur tendera pa fund për atë që njihet si klani i Suel Çelës në Elbasan. Dhe çfarë ndodhi? Bëri hetimin SPAK, u hoq drejtori dhe sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Rasti i Elbasanit është pasqyrimi se çfarë ndodh me pushtetin vendor, sidomos në zonat problematike.

Ka qenë edhe vetë Petro Koçi që ngriti problemin e republikës së drejtorëve, madje foli edhe me emra, pse nuk u reflektua? Këta drejtorët që u larguan nuk janë shqetësim të Ramës, është një rideminsionim që bandat kanë në zonat përkatëse, qoftë në Vlorë, Fier, Elbasan e të tjerë. Thjesht ka ndryshuar balanca e bandave në këto qytete.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb