Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka deklaruar se agjencia që udhëheq ka “inteligjencë të besueshme” që tregon se programi bërthamor i Iranit është “dëmtuar rëndë” nga sulmet e fundit amerikane.
Ratcliffe ka shkruar në X, se kjo përfshin “inteligjencë të re nga një burim apo metodë historikisht e besueshme dhe e saktë” që tregon se disa objekte kryesore bërthamore iraniane u shkatërruan.
Sipas tij, do të duheshin disa vite që këto objekte të rindërtoheshin.
Më herët, Administrata e presidentit Donald Trump, e ka kundërshtuar kategorikisht një vlerësim të rrjedhur të inteligjencës i cili sugjeron se komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit nuk janë shkatërruar dhe të cilat mund të rindërtohen brenda muajsh.
Më parë në samitin e NATO-s, shefi i Shtëpisë së Bardhë, ka përsëritur pretendimin e tij se programi bërthamor ishte ‘zhdukur’.
Derisa, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, kishte deklaruar se vlerësimi paraprak i Pentagonit ishte bërë me “besim të ulët” dhe sipas tij Agjencia Federale e Hetimit (FBI) po hetonte këtë rrjedhje.

