Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim me rëndësi të veçantë me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Tiranës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe ndërmarrja e hapave konkretë për një bashkëpunim më efikas mes institucioneve, në mënyrë që të sigurohet një koordinim më i mirë i përgjegjësive për të garantuar sigurinë e fëmijëve – një ndër prioritetet kryesore të punës së Policisë së Shtetit.
Disa nga temat e diskutuara gjatë takimit ishin:
-siguria e nxënësve në ambientet e shkollës dhe përreth saj;
-siguria rrugore përreth shkollave;
-siguria kibernetike dhe mbrojtja e fëmijëve, online;
-garantimi i sigurisë gjatë aktiviteteve sociale, në të cilat janë të përfshirë fëmijë dhe të rinj.
-bashkëpunimi midis komunitetit të prindërve dhe Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi si tejet të rëndësishëm takimin me Këshillin e Prindërve të Tiranës, duke theksuar se sugjerimet dhe rekomandimet e dhëna prej tyre lidhen ngushtë me sigurinë e fëmijëve – një çështje themelore, pasi ata përfaqësojnë të ardhmen e vendit. Ai siguroi përfaqësuesit e Këshillit se të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në çdo cep të vendit, janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjithë faktorët e përfshirë në garantimin e sigurisë në shkolla.
Gjatë këtij takimi, Proda theksoi: “Siguria në institucionet arsimore është një ndër përparësitë tona më të larta. Çdo incident, edhe ai më i vogël mes nxënësve, trajtohet me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe bordet e prindërve, të cilët kanë një rol kyç në këtë proces.”
Ai shtoi gjithashtu se ka dhënë udhëzime të posaçme që, pavarësisht ngarkesës së përditshme të strukturave të policisë, të shtohen patrullimet dhe monitorimet në shkolla, veçanërisht gjatë periudhës së fundit të vitit shkollor, duke forcuar bashkëpunimin me oficerët e sigurisë, punonjësit socialë dhe policinë vendore.
