“Nuk është Call Center, por një risi brenda sistemit tonë shëndetësor që i vjen në ndihmë qytetarit përmes një telefonate, dhe që i kursen mund dhe para!”. Kështu thekson Skënder Brataj, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë, i ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun.

Në fjalën e tij Brataj theksoi se QKUM, edhe pse një institucion relativisht i ri, ka dhënë rezultatet e para tek qytetarët dukeu krijuar atyre lehtësira në trajtimin mjekësor, gjithnjë në ato raste jo të rënda kur prezenca e mjekut nuk nevojitet pranë pacientit, por vetëm këshillimi. Sipas Brataj, kjo risi ka nisur të përqafohet nga qytetarët, duke bërë që këta të fundit të mos shpenzojnë as kohën dhe as paratë për vizita mjekësore në spital. Por gjithnjë, kur rastet nuk janë të rënda, marrin këshillim përmes telefonit.

Drejtori i QKUM-së nënvizon se kjo praktikë e re, është brenda standardeve europiane dhe është arritur falë mirë organizimit të stafit duke bërë që mjekët të jenë në shërbim të qytetarit në çdo orë, edhe pse fizikisht mund të mos jenë aty. Por nga ana tjetër, Brataj shton se ka pasur raste të rënda, ku tek qytetari ka shkuar jo vetëm trupa mjekësore, por edhe helikopteri, çka u ka shpëtuar edhe jetën. Në fund, ai i bën thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë dhe të telefonojnë në numrin 127 dhe do të marrin të gjithë ndihmën e nevojshme, dhe në një kohë sa më të shpejtë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/07/02/intervista-e-dites-drejtori-qkum-si-te-merrni-trajtim-mjekesor-duke-kursyer-para-dhe-kohe-vetem-1-telefonate/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: