Kreu i PD-së Sali Berisha i ka premtuar sot biznesit të vogël se do të jetë ai që do ta hartojë paketën fiskale dhe programin e qeverisë së ardhshme.

Në një takim me Shoqatën e Biznesit të vogël e të mesëm, Berisha akuzoi qeverinë për represion dhe vjedhje. Sipas tij, veprimtaria e qeverisë ndaj biznesit të vogël është e tëra se si të intimidojë me praktika nga më antiligjore, antikushtetueset biznesin e vogël dhe se vënë në krye një Sude apo Xhaferr siç ishte drejtori i tatimeve që ndërtonte piramida me paratë e kësaj kategorie.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë për punën e sakrificat që bëni, por njëkohësisht dhe keqardhjen më të madhe për represionin e vërtetë që iniciativa juaj e lirë pëson nga një regjim, nga një qeveri e cila ka tipar kardinal vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen.

Dua t’ju them se hajduti nuk ka as profesion, as moral, as përgjegjësi zyrtare, është vetëm hajdut dhe mendon se si të plaçkitë tjetrin në çdo veprim. Po të analizoni këtë qeveri, të gjithë veprimtarinë e saj ndaj jush, është e tëra se si t’u intimidojë njëlloj si hajduti që futet natën në shtëpinë dhe ta zbraz shtëpinë dhe këta me praktika nga më antiligjore, antikushtetueset janë vërsulur si lukuni mbi ju, duke bërtitur me propagandën e tyre se jemi të vetmit në Europë që nuk tatojmë biznesin e vogël, me pacipësi absolute se jemi këta, jemi ata paçka se ju vënë në krye një Sude apo Xhaferr siç ishte drejtori i tatimeve që ndërtonte piramida me paratë tuaja dhe njerëz të cilët, zyrtarë të cilët, pavarësisht nëse kanë shkolla apo jo, kanë studiuar për financa apo ekonomi, në të gjithë praktikat e tyre nuk mendojnë gjë tjetër, vetëm si tju grabisin ju, biznesin e vogël, për të cilët ju jeni njerëz anonimë. Ata janë një me oligarkët dhe gjithë interesat e tyre bien mbi ju.

Nuk jam këtu për t’u ndalur në përpjekjet e bëra në të shkuarën për një klimë miqësore ndaj biznesit, jam këtu për t’ju garantuar se programin e qeverisë së ardhshme do ta hartoni ju dhe jo specialistët tanë. Paketën fiskale të biznesit të vogël do ta hartoni ju, më të favorshmen për ju, sepse ky nuk është vetëm interesi juaj por i vendit. Biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb