Vjolanda Peca, Armand Kullau | “Vetting”
Më 18 nëntor 2020, një letër mbërriti në Kryeministri nga stafi i punës në Institutin e Nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”. Në letër ngriheshin shqetësime për emërimin e Drejtorit të ri në detyrë Emiliano Lule, i cili më parë kishte qenë nëndrejtor në këtë instituticion. Sipas ish-punonjësve të këtij institucioni, Drejtori Lule ka shkelur një sërë ligjesh duke nisur që nga emërimi i tij dhe deri te sjellja me punonjësit e qendrës duke tejkaluar kompetencat e veta në dëm të tyre. Disa nga këto shkelje emisioni
“Vetting” i ka zbuluar nga dokumenti i papublikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas punonjësve, Lule është emëruar Drejtor në këtë institut më 13 nëntor të vitit 2020 dhe brenda pesë ditësh i ka detyruar të bëjnë një ankesë ndaj tij.
Pranë emisionit “Vetting” është paraqitur një ish-punonjëse e Qendrës Burimore “Ramazan Kabashi”, Fatbardha Marku e cila dëshmon se është pushuar padrejtësisht nga puna si kujdestare konvikti. “Mua zotëria më largoi nga puna në mënyrë të padrejtë. Kanë bërë një letër një ankesë mësuesit, dhe një pjesë tjetër, jo një pjesë por gati shumica e përsonelit të konviktit dhe pjesës tjetër të administratës, ankoheshin për Emiliano Lulen, për mënyrën e tij të sjellurit”, shprehet denoncuesja Marku.
Ndër radhët e shumta të shkruara e zeza mbi të bardhë, renditen paligjshmëritë e drejtorit të qendrës duke nisur që nga emërimi i tij. Sipas punonjësve dhe mësuesve, Drejtori Lule është caktuar në këtë detyrë në kundërshtim të plotë me ligjin.
Konkretisht në letër thuhet:
“Theksojmë se ky individ është caktuar në kundërshtim të plotë me ligjin pa plotësuar kushtin kryesor “diplomim në mësuesi… Ne jemi nën presion të vazhdueshëm dhe të rrezikuar”.
Por, përpos kësaj, shqetësim shumë i madh dhe që bie drejtëpërdrejt mbi supet e punonjësve është fakti se drejtori ka kërcënuar me tone të ashpra punonjësit me largim nga puna.
“Emiliano Lule po këtë verë ka bërë një terror të vërtetë me personat që janë aty. I ka detyruar të bëjnë punë, mundësisht është hakërruar në mes të institutit me zë të lartë, duke u thënë personave që janë aty që nuk kanë pranuar t’a bëjnë punën, unë do thërras policinë”, tha ish-punonjësa e Institutit.
Sipas avokatit Gentian Serjani, ka pasoja ligjore kur punonjësit bëjnë punë që nuk janë të përfshira në kontratë. “Kur ka një sjellje abuzive nga ana e punëdhënësit kundrejt punëmarrësit, të cilët e detyrojnë të bëjë punë që nuk i ka pjesë të kontratës, atëherë mund të themi që jemi përpara një situate abuzive, përpara një situate ku punëdhënësi duhet të mbajë përgjegjësi ligjore”, shprehet avokati Serjani.
Për vitet 2022 dhe 2023 janë larguar 7 punonjës nga instituti “Ramazan Kabashi” por vetëm njëra diferencon sepse nuk është larguar me dorëheqje, por me ndërprerje të marrëdhënies së punës.
“Kam filluar punë me 27 nëntor 2020 dhe më ka pushuar nga puna me anë të një telefonate në datën 31 korrik 2023. Mua kur më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që do të të heq nga puna më ka thënë do të të fus në burg në qoftë se më çon në gjyq”, u shpreh denoncuesja.
Sipas pedagogut të ekonomisë Leons Hasani, kur kemi pushime nga puna vetëm nëpërmjet telefonatave kemi të bëjmë me shkelje.
“Është shkelje sepse duhet bërë zyrtarisht përmes një shkrese apo njoftim paraprak përmes e-mailit ku thirret në zyrën e burimeve njerëzore dhe argumentohet përse është shkarkuar personi nga puna”, tha për “Vetting” pedagogu Hasani.
Më 31 korrik të vitit 2023 me vendim të drejtorit Emiliano Lule është ndërprerë marrëdhënia e punës së Znj. Fatbardha Marku, e cila ishte në detyrë nën poziconin si Kujdestare Konvikti. Sipas dokumenteve që “Vetting” ka siguruar, me një vendim të datës 29 Qershor 2023 është dhënë masa disiplinore; Vërejtje për shkelje të rëndë, mungesë pa arsye për dy ditë pune; dhe pas 13 ditësh me një tjetër vendim është dhënë masa disiplinore; Paralajmërim për largim nga puna për shkelje të rëndë, mungesë pa arsye për tre ditë pune; e cila çoi deri në pushimin nga puna të zonjës Marku.
Më 17 Korrik 2023 është dhënë masa disiplinore; Largim nga puna për shkelje të rëndë, mungesë pa arsye në punë e përsëritur. Zonja Marku është në një proces gjyqësor me drejtorin e Qendrës Burimore “Ramazan Kabashi” për heqjen, sipas saj të beftë, nga puna. “Arsyeja që kam parë në dosjen time është sepse paskam munguar disa herë. Dhe sot i kërkoj Emiliano Lules ditët që kam munguar sipas pretendimit të atij kush i ka bërë turnet e mia? Pasi ne si kujdestare punojmë dy ditë turni i parë, dy ditë i dytë, dy ditë i tretë. Gjithçka dua të vërtetohet me pamje filmike. Cila kujdestare më ka zëvëndësuar mua? Kush e ka marrë ditën e punës time?”, ngre pyetjet ish-punonjësja.
Mes dhjetra procesverbaleve të mbajtur për sjelljen jokorrekte të denoncueses Marku, kjo e fundit shprehet që njëri nga ato është i falsifikuar. “Gjatë kohës kur unë kam qenë në punë ka qenë përgjegjëse e sektorit të financës zonja R. Meta, ka ikur më 15 shtator nga puna pasi ka dalë në pension. Në dijeninë time ka ardhur në fund të tetorit 2023 zonja N. Lleshi si përgjegjëse e sektori të financës. Ka firmosur zonja N. Lleshi mund të ma saktësojë mua zonja N. Lleshi për datën 3,4,58,14 korrik 2023 dhe datën 6,10 korrik 2023, N. Lleshi nuk ka qenë as e emëruar dhe as përgjegjëse e sekotrit të financës, si firmosi N. Lleshi që unë kam qenë në punë. Si e vëretoi N. Lleshi? Ky është falsifikim dhe është shkelje tjetër e hapur nga Emiliano Lule”- tregon për “Vetting”, Fatbardha Marku.
Sipas avokatit Serjani, nëse kemi të bëjmë me falsifikim dokumentesh dhe falsifikimi prodhohet nëpërmjet akteve të tjera dokumenteve dhe shkresave të tjera, do të thotë që jemi qartazi përpara një vepre penale.
“Si mundet një punonjës që ka ardhur shumë kohë mbrapa të firmosë procesverbalet?”- ngriti pyetjen avokati Serjani.
Por ky nuk është rasti i vetëm, ku Emiliano Lule është denoncuar nga punonjësit pasi në fund të vitit 2023 Qendra ka humbur gjyqin me një zonjë tjetër, e cila është pushuar në mënyrë të padrejtë.
“Emiliano Lule para meje hoqi një zonjë nga puna dhe shkak është Shqiponja Zajmi. Zonja në fjalë e ka hedhur në gjyq dhe e ka fituar”, u shpreh ish-punonjësja Marku.
Regjistrimi telefonik që demaskoi Emiliano Lulen: “… Kamerat e hollit janë të dyja me dy mikrofonë”, këto janë disa nga fjalët që drejtuesi i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë ka thënë në një bisedë. Në një bisedë telefonike midis drejtorit Emiliano Lule dhe zonjës M (personi anonim), dëgjohet drejtori Lule që tregon se kamerat brenda institucionit i ka me audio, gjë e cila është e paligjshme.
Gazetarët e “Vetting” kontaktuan në linjë telefonike Drejtorin Emiliano Lule për kamerat audio, por ai nuk pranoi përdorimin e audiokamerave.
Gazetari Armand Kullau: Në ambientet publike të institutit që ju drejtoni ka kamera me audio, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Çfarë komenti keni në këtë rast?
Emiliano Lule: Komenti im për të gjitha kamerat që janë të instaluara në institucion, në bazë të ligjit nr. 19/2016 për rritjen e masave të sigurisë, është se të gjitha kamerat e sigurisë këtu janë të modelit me audio. Asnjë nga kamerat nuk është e konfiguruar me audio, sepse nuk di t’i konfiguroj me audio, ndonëse kam mundësinë teknike për t’i përdorur në atë mënyrë.
E dyta, një njeri si unë, në kushtet kur nuk mund të shikojë, nuk mund të konfigurojë një program dhe ta dëgjojë.
Në audion që ka siguruar “Vetting”, Drejtori Lule jo vetëm që është në dijeni të regjistrimeve, por dëgjon bisedat dhe për dëgjimin e këtyre bisedave futen njerëz nga jashtë.
“Nuk mundet të ketë… Shqiponja të më gënjejë mua për këto gjëra. Nuk ka b…ë” – thotë drejtori Emiliano Lule ndërsa zonja e pyet: “Po pse të ka frikë ty? “Po sigurisht ka qenë vetë prezente kur unë dëgjoja kamerat, ku ndodhi kjo bisedë me Shqiponjën në holl dhe kamerat e hollit janë të dyja me dy mikrofonë”, shprehet Lule.
Praktikisht, drejtori e ka kthyer qendrën kërkimore në një “Big Brother kërkimor” në shkelje të privatësisë, duke treguar indicie për përndjekje ndaj punonjësve të vet.
Në këtë regjistrim të gjatë, më vonë dëgjohet qartë sesi drejtuesi prej më shumë se pesë vitesh i qendrës burimore “Ramazan Kabashi”, flet me fjalë banale dhe kërcënuese ndaj punonjësve. Biseda zgjerohet duke folur për persona të tretë. “Këta thanë mirë se janë qorra, janë budallenj, por janë edhe kështu torollakë. Ai nja dy muaj është, ai rrot k… Ai kush po q… ata po h… Ai po ndenji na q… nënën, na hoqi të gjithëve. Po pse nuk duhet të di unë se çfarë bëjnë ata pas shpinës?” –u shpreh në telefonatë Emiliano Lule.
Sipas avokatit Serjani, kur ka kamera me zë është përgjim dhe jemi përballë një vepre penale. “Përgjimi autorizohet vetëm me urdhër të Prokurorisë. Për aq kohë sa kemi institucione që përgjojnë punëtorët, jemi para veprës penale”, shprehet avokati Serjani.
Rasti i drejtorit të Qendrës burimore “Ramazan Kabashi” e tregon qartazi që një njeri e mban akoma statusin drejtues pavarësisht veprimeve joligjore që bën. Që një institucion të funksionojë normalisht duhet të ndjekë disa hapa institucionalë për të ruajtur transparencën dhe punonjësit që i cojnë punët përpara duhet të jenë të specializuar dhe profesionistë për atë ç’ka bëjnë. Në Qendrën Burimore “Ramazan Kabashi” përgjatë vitit 2024 janë punësuar 51 persona, nën statusin e drejtorit, nëndrejtorit, mësues për arsim special, mësues ndihmës, roje, e të tjerë. Kjo shifër, e kalon edhe vetë numrin e nxënësve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit në udhëzimin nr.14 të datës 10 korrik 2023, është shprehur për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar. Në këtë udhëzim, Ministria e Arsimit ka argumentuar se në shkollat speciale emërohet një drejtor dhe një nëndrejtor, kur numri i nxënësve është deri në 130 nxënës. Pavarësisht se sipas shifrave zyrtare ka 34 nxënës, në institutin e nxënësve që nuk shikojnë, në kundërshtim me ligjin është emëruar edhe një nëndrejtoreshë, zonja Shqiponja Zajmi, nëndrejtore në detyrë.
“Mua zotëria më largoi nga puna në mënyrë të padrejtë. E vetmja arsye pse nuk më largoi nga puna është sepse nuk iu binda mikes së tij të besuar, nëndrejtoreshës në thonjëza në detyrë Shqiponja Zajmi. Sot në Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë janë 12 konviktorë. Dhe Emiliano Lule nuk ka asnjë tagër ligjor që të vendosë nëndrejtoreshë kë ti dojë qejfi.” -shprehet e zhgënjyer zonja Marku. Në po të njëjtën telefonatë, Emiliano Lule ka pranuar që Shqiponja Zajmi është nëndrejtoreshë në detyrë pavarësisht se instituti nuk e mbush kriterin e numrit të nxënësve.
Zonja M: Emiliano, mundet t’i ketë ditur të gjitha Shqiponja?
Drejtori Emiliano Lule: S’e ka përgjegjësi me shkrim. Është zëvendësdrejtoreshë, a e di ti apo jo?
Zonja M: Çfarë është mo?
Drejtori Emiliano Lule: Shqiponja është zëvendësdrejtoreshë me detyrë si Rexhina.
Zonja M: Është e martuar pa letra me një fjalë?
Drejtori Emiliano Lule: Pak a shumë.”- dëgjohet në dialog.
Shqiponja Zajmi nëndrejtore në detyrë gjithashtu është edhe pjesë e komisionit të prokurorimit me vlerë të vogël së bashku me Znj. Rexhina Tosku, znj. Dhurata Mullisi. Sipas projekt të raportit të siguruar nga “Vetting”, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se nga ky komision ka patur disa shkelje procedurale.
Auditimi tregoi se disa herë, daljet e ushqimeve nga magazina nuk përputheshin me menutë ditore dhe javore të miratuara. Kjo tregon mungesë kontrolli dhe mbikqyrjeje nga nëpunësit përgjegjës dhe mund të çojë në humbje të materialeve, mungesë transparence dhe mundëson hapësira më të mëdha për për abuzime ose vjedhje.
Gjithashtu cenohet siguria ushqimore, por kjo është e pritshme sepse njëra prej kompanive që kanë fituar tendera në Institutin e “Nxënësve që Nuk Shikojnë” janë “Nelsa” shpk. Kjo kompani ishte në qendër të vëmendjes publike para disa muajve sepse 70 fëmijë në një kopsht shtetëror në Gramsh, u helmuan nga ushqimet e infektuara që pretendohet se i ka sjellë “Nelsa” sh.p.k.
Në lidhje me problemet me tenderat, për “Vetting” Drejtori Lule kundërshtoi gjetjet nga auditi.
Gazetari Armand Kullau: Sipas informacioneve që kemi nga auditimi i procedurave të viteve 2022 dhe 2024, është konstatuar se nga grupet e ngritura nga drejtuesi nuk janë hartuar përllogaritjet e fondit limit për mallrat, shërbimet, veprimet dhe mosveprimet, në kundërshtim me ligjin. Cili është komenti juaj?
Emiliano Lule: Ky informacion zyrtar nuk është i saktë, sepse të gjitha fondet dhe çdo fond publik që vjen në këtë institucion është i hartuar sipas ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Të gjitha procedurat janë të audituara dhe nuk ka asnjë gabim nga auditimi.
Gazetari Armand Kullau: Për tre vitet 2022, 2023 dhe 2024, të gjitha procesverbalet e mbajtura nga grupet e punës që ju keni ngritur nuk janë protokolluar sipas parashikimeve ligjore të normave tekniko-profesionale, neni 18 dhe neni 19. Cili është komenti juaj?
Emiliano Lule: Jam në dijeni të këtij ligji dhe, duke qenë në dijeni, të gjithë procesverbalet janë të protokolluar sipas ligjit. Sipas ligjit nr. nr. 48, datë 23.07.2018 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar: “Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor ka të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor është kryer pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor”.
Mësuesit janë kualifikuar në tri kategori, përkatësisht: Mësues i kualifikuar; Mësues specialist; Mësues mjeshtër&. Sipas ish-punonjësve të këtij institucioni, Emiliano Lule nuk i ka kryer këto kualifikime.
“Emiliano të më përgjigjet sot: Sa orë mësimi jep? Ligjërisht sa orë duhet të japë? Drejtori duhet të japë mësim për lëndën në të cilën është specializuar”, tha për “Vetting” denoncuesja.
Nga ana tjetër, për shkak të rehatllëkut që një karrige drejtori të jep, mesa duket Drejtori Lule nuk e ka kryer detyrimin ligjor të orëve të mësimdhënies. Udhëzimi i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është që në shkollat speciale, drejtori i shkollës me 81-300 nxënës duhet të jap mësim 6 orë në javë.
“Nuk i ka dhënë kurrë 6 orë, nuk ka shkuar asjëherë të klasat dhe shkolla që është aktualisht. Jo, asnjëherë se kam parë. Emiliano Lule sot nuk kontrollon as cilësinë e mësimit as orarin e mësimit, as çfarë mësimi bëhet, as nuk korrigjon as nuk shikon asgjë”, dëshmoi znj.Marku.
Në disa video që kanë mbërritur në redaksinë e “Vetting” duken qartazi disa punonjëse, të cilat po kryejnë punë të rënda, siç është lëvizja e mobiljeve apo restaurimi i mureve. Këta punonjës, bazuar në dëshmitë e disa burimeve, detyrohen të bëjnë punë që nuk u takojnë.
“Videot që pashë tani, që kanë punuar këtë verë, e sigurtë që kanë punuar këtë verë sepse Emiliano Lule nuk i fsheh dot punëtorët, nuk i fsheh dot punimet, nuk e fsheh dot keqtrajtimin, diskriminimin që bën aty. Emiliano Lule na ka detyruar të bëjmë dhe rojen. Katër roje ka institucioni dhe unë si kujdestare nuk kisha pse t' a bëja rojen. Na ka detyruar të bëjmë gjithë verën rojen”, u shpreh ish-punonjësja Marku pasi pa videot e siguruara nga “Vetting”.
Por Drejtori Emiliano Lule pohoi për “Vetting” se vetëm 3 djem bëjnë punë vullnetare, ndërkohë në video duken punonjëse gra.
Gazetari Armand Kullau: Sipas informacioneve që kemi, disa nga personat në institucion kanë kryer punë që nuk kanë lidhje me kontratën e punës. Çfarë komenti keni?
Emiliano Lule: Çfarë pune kanë bërë, për shembull?
Gazetari Armand Kullau: Çështje që lidhen me infrastrukturën brenda ndërtesës.
Emiliano Lule: Po, është informacion i vërtetë. Ka dy-tre djem që kanë shprehur dëshirën për të lyer me bojë, sepse e kanë pasion. Sidomos njëri prej tyre, që është në sektorin e IT-së, herë pas here i pëlqen të lyejë me bojë.
Sipas avokatit Sejrani, po të shohim raportin e Komisionerit të Shërbimit Civil zbulohet se 30% e të punësuarve në administratë janë të punësuar në mënyrë të paligjshme, që do të thotë se të dhënat tregojnë qartazi se emërimet bëhen në mënyrë jo të rregullt.
“Më pas këto punësimet që vijnë nëpërmjet miqësisë apo nëpërmjet rrjetit të të njohurve, kemi parë që kanë qenë të punësuar në aministratë dhe të afërm të politikanëve, shohim që presioni nga drejtori nuk u bëhet dot punonjësve, por presioni i drejtorit u bëhet punonjësve që janë pa mbrojtje dhe bëjnë punën reale”, u shpreh avokati Sejrani.
