Gazetari dhe analisti Agim Baçi ka komentuar aksionet e fundit të qeverisë, përfshirë lirimin e hapësirave publike dhe valën e shkarkimeve të drejtuesve lokalë në bashkitë e vendit. I ftuar në studion e News24, Baçi tha se shkarkimet masive tregojnë një dështim të menaxhimit vendor dhe një ndërhyrje të qartë të kryeministrit Edi Rama në pushtetin lokal.

“Kanë dështuar shumë drejtori në pushtetin lokal. Kryeministri nuk është kujdesur të rregullojë institucionet më herët. Në momentin që ke shkarkuar të gjithë drejtuesit e njësive administrative dhe drejtorët, ke shkarkuar edhe kryetarët e bashkive, por nuk do të bësh zgjedhje të parakohshme. Pra, ke pranuar dështimin”, u shpreh Baçi.

Ai shtoi se kjo situatë tregon mungesën e ndarjes së pushteteve dhe përforcon idenë se ekzekutivi po uzurpon kompetencat e pushtetit vendor: “Rama tregon se nuk ka më një ndarje të pushteteve, duke ndërhyrë në pushtetin lokal.”

Lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike, Baçi tha se mbështet zbatimin e ligjit, por theksoi se ai duhet të jetë i njëtrajtshëm për të gjithë dhe të mos përdoret për qëllime selektive.

“Shteti merr prona vetëm për interes publik, nuk merr tokën e njërit për t’ia dhënë tjetrit. Duhet sqaruar situata e ligjshmërisë në Theth. Në momentin që pranon këtë, duhet të pranosh gjithë zinxhirin e përgjegjësive,” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb