Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur mesditën e sotme në zonën e ish-Kënetës, në Durrës, ku një drejtues automjeti goditi për vdekje 2 fëmijë dhe plagosi rëndë shokun e tyre që po luanin me top në trotuar.
Në një mesazh në Facebook, Begaj shkruan se ky aksident i tmerrshëm e ka tronditur thellë teksa i ka dërguar ngushëllime familjeve të viktimave.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, thotë Begaj në mesazhin e tij, duke shtuar se kërkon nga institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim.
“Të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë”, përfundon mesazhi i presidentit.
