Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, të cilat janë publikuar këtë të martë në emisionin “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën në Neës24.
Sipas dosjes, bashkëpunëtorë me vëllezërit Bushkgjokaj, në ndjekjen dhe më pas vrasjen e të riut ishte Petrit Çakraj, një person me precedent penal.
Në dëshminë e nipit të tij, Armelindo Çakraj, që nga kqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë figuronte që ishte një nga drejtuesit e automjetit ‘Ëolksëagen’ Jetta, makinë që mëngjesin e datës 9 korrik u ndërrua nga Petrit Hoxha me automjetin ‘Hyundai’ Santa Fe.
Armelindo Çakraj, dëshmia e të cilit nuk paraqiti ndonjë interes për grupin hetues.
Por ndërsa ranë në gjurmët e dy makinave, grupi hetues vazhdoi me analizimin e pamjeve filmike para dhe pas ngjarjes të rrëmbimit dhe më pas vrasjes së Renis Dobrës.
Nga ku doli se të dy automjetet si ai ‘Range Rover’ i marrë me qira nga Fatjon Bushgjokaj ashtu dhe ai ‘Hyundai’ Santa Fe, i bardhë, i marrë po me qira nga Petrit Hoxha, vihen re teksa lëvizin më datë 8 Korrik, përgjatë gjithë ditës në prani të njëri-tjetrit, në rrugët e Kamzës.
Deri në momentin kur nisen në qytetin e Burrelit.
Dhe me të mbërritur në qytetin e Burrelit, vihen në ndjekje të makinës ‘Mercedes Benz’ të drejtuar nga viktima Renis Dobra.
Nga verifikimet rezulton se dy automjetet, si ai ‘Range Rover’ me targa AA 333 RM dhe ai ‘Hyundai’ Santa Fe, me targa AB 699 GH, të marrë me qira nga Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakraj, janë konstatuar ditën e ngjarjes në hyrje të qytetit të Burrelit, si dhe janë vënë në ndjekje të viktimës Renis Dobra gjatë ditës deri në orën 22:02:09 të datës 8 Korrik 2025.
Ku janë konstatuar në kamerat e vendit të quajtur ‘Ura e Matit’, kohë kjo kur ka ndodhur rrëmbimi i shtetasit Renis Dobra së bashku me automjetin tip ‘Mercedes Benz’, me targë AA 349 ST dhe kanë ndjekur të njëjtin itinerar lëvizje deri në vendin ku kanë hedhur automjetin dhe viktimën në vendin e quajtur ‘Sektori C’, në aksin rrugor ‘Burrel-Shkopet’.
Dhe pas këtij momenti nga vendi i quajtur ‘Sektori C’ në drejtim të Tiranës kanë lëvizur vetëm automjeti tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM dhe automjeti tip ‘Hyundai’ Santa Fe’, me targë AB 699 GH.
Por ato që provuan bashkëpunimin e vëllezërve Bushgjokaj me Petrit Hoxhën si para dhe pas krimit, ishin qindra orë filmime të marra nga kamerat e sigurisë në të gjitha zonat ku ata kishin lëvizur, edhe në ditët pas ngjarjes.
Pamje të cilat fillojnë që kur automjeti tip ‘Hyundai’ Santa Fe, lëviz nga Kamza mesditën e datës 8 korrik dhe pas tij bashkohet edhe automjeti tip ‘Range Rover’.
Ku gabimi fatal që duket se tradhton drejtuesin e mjetit ‘Range Rover’ është se ka lënë të hapur dritaren e makinës dhe nga kamerat dallohet dora e tij e dalë jashtë dhe tatuazhet në krah.
Pjesë nga dokumentari
Nga pamjet filmike të marra nga kamera e vendosura tek vendi i quajtur ‘Kthesa e Valiasit’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 16:00, koha reale, është konstatuar një automjet tip fuoristradë ‘Hyundai’ Santa Fe, me targë AB 699 GH, me ngjyrë të bardhë, i cili merr kthesën në krahun e majtë në drejtim të Fushë-Krujës dhe direkt pas tij vërehet automjeti ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, me xhamin e parë të hapur, ku shikohet drejtuesi i automjetit i cili është me flokë të shkurtra, me pak mjekër, që mban veshur bluzë me krahë zhapone dhe krahun e majtë e ka të mbuluar me tatuazh.
Lëvizjet në këtë vend të dy automjeteve që vërtetohen edhe nga gps-ët në makinat përkatëse.
Këto lëvizje të bashkërenduara u panë edhe në orët në vazhdim midis dy makinave.
Të cilat në një moment ndalojnë të dyja për t’u furnizuar një një pikë karburanti.
Ku drejtuesit e dy mjeteve duken teksa dalin nga makinat e tyre dhe shkojnë së bashku në kafenenë ngjitur me karburantin.
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e vendosura tek karburant ‘E.. Oil’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 17:25, janë konstatuar automjeti tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM, me ngjyrë të zezë dhe automjeti tip fuoristradë tip ‘Hyundai’ Santa Fe, me targë AB 699 GH, me ngjyrë të bardhë, duke u furnizuar me karburant.
Ku në mes të dy automjeteve konstatohet një shtetas i qethur tullac, i veshur me bluzë me mëngë të shkurtra me ngjyrë të kuqe dhe me trup të shëndoshë. Ku pas furnizimit, automjetet kanë parkuar në ambientet e jashtme të ‘Bar Kafe’, aty pranë ‘E.. Oil’ dhe janë futur në ambientet e lokalit brenda.
Është pikërisht ky momenti, kur oficerët e policisë mundin të dallojnë në praninë e njëri-tjetrit, vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Hoxhën.
Si edhe kush janë në drejtimin e automjeteve, disa orë përpara se të rrëmbehet dhe të vritet Renis Dobra.
Dosja Hetimore
Nga pamjet filmike të marra nga kamerat e vendosura në ambientet e brendshme të lokalit ka rezultuar se personi i shëndoshë, i qethur tullac, me bluzë me mëngë të shkurtra me ngjyrë të kuqe, që mban pantallona të zeza, si dhe atlete të zeza me gomë të bardhë që qëndron në këmbë është Petrit Hoxha alias Petrit Çakraj.
Po kështu personi me trup të shëndoshë, me mjekër të zezë, me kapele sportive me ngjyrë të zezë me strehë të gjatë, me bluzë me mëngë të shkurtra po me ngjyrë të zezë, me tuta të shkurtra me ngjyrë jeshile, është Kristi Bushgjokaj.
Ndërsa personi me trup të dobët, me tuta të shkurtra, me atlete të zeza me gomë të bardhë dhe me bluzë me mëngë të shkurtra, me flokë të qethura shkurt është shtetasi Aleksandër Bushgjokaj, në krahun e majtë të të cilit konstatohet që ka një tatuazh.
I fundit, personi i katërt, me kanatiere, me krahun e djathtë të mbushur me tatuazhe është shtetasi Fation Bushgjokaj.
Janë të katër këta persona të cilët pasi kanë konsumuar kafenë bashkërisht në të njëjtën tavolinë, po së bashku dalin nga lokali dhe drejtohen për në makinat respektive.
Konkretisht në atë ‘Range Rover’ të zi, dhe ‘Hyundai’ Santa Fe, të bardhë/
Ku siç shikohet edhe nga pamjet filmike, në makinën ‘Range Rover’ në sediljen e parë të pasagjerit ulet Aleksandër Bushgjokaj, dhe në drejtimin e mjetit është vëllai i tij Fation Bushgjokaj.
Ndërsa në automjetin ‘Hyundai’ Santa Fe, ai që ngjitet në vendin e shoferit është Petrit Hoxha.
Ndërsa Kristi Bushgjokaj, ulet në sediljen e parë të pasagjerit.
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e vendosura në pjesën e jashtme të lokalit pranë karburant ‘E.. Oil’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 17:23, është konstatuar se automjeti ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, është i parkuar përballë ambientit, ndërsa automjeti ‘Hyundai’ Santa Fe, me ngjyrë të bardhë, është i parkuar në krahun e majtë të lokalit.
Nga sa konstatohet më tej është se Aleksandër Bushgjokaj, pasi del nga lokali futet në sediljen e parë të pasagjerit të automjetit ‘Range Rover’.
Ndërsa drejtimin e këtij automjeti e merr Fation Bushgjokaj.
Për të vazhduar më tej, personi i tretë që del nga lokali është Petrit Hoxha, që vihet re teksa futet në sediljen e shoferit të automjetit ‘Hyundai’ Santa Fe të bardhë.
Ndërsa Kristi Bushgjokaj futet në sediljen e parë të pasagjerit të këtij automjeti.
Është ky momenti kur këto dy automjete dhe personazhet që ndodhen brenda tyre, nisen drejt Burrelit.
Kjo e konfirmuar si nga pamjet filmike të kamerave të vendosura në akse të ndryshme rrugore, por edhe pas verifikimit të gps-eve të vetë automjeteve,
Ku në orën 18.00 të datës 8 Korrik, pamjet filmike të një lokali në aksin Shkopet-Burrel, fiksojnë dy makinat teksa lëvizin njëra pas tjetrës.
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga Komisariati i Policisë Rrëshen, nga kamera e vendosur në vendin e quajtur ‘Ura e Fanit’, që mban datën 8 Korrik 2025, në orën 18:08 konstatohet automjeti tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM, me ngjyrë të zezë, me drejtim lëvizje në hyrje të qytetit të Rrëshenit.
Më pas, në orën 18:13 automjeti tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM, me ngjyrë të zezë, vihet re në lëvizje tek vendi i quajtur ‘Ura e Zmesë’ në aksin rrugor ‘Rrëshen-Burrel’
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e qytetit të Burrelit ‘Kryqëzimi i Policisë’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 19:04, tek rruga nga ish-Prokuroria konstatohet një automjet tip ‘Hyundai’ Santa Fe, me ngjyrë të bardhë, ku lëvizja para kësaj kamere ka vazhduar deri në orën 19:04.
Vetëm një orë e 30 minita më pas të dyja makinat shikohen teksa lëvizin së bashku pas njëra tjetrës.
Pranë fshatit ku më pas do të ndalohej dhe do të rrëmbehej Renis Dobra.
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e qytetit të Burrelit ‘Ura e Matit’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 20:42, vihet re automjeti tip ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, me drejtim lëvizje nga qyteti i Klosit për në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Urës së Matit’ që vazhdon rrugën në drejtim të fshatit Zenisht.
Po në pamjet filmike të marra nga kamerat e qytetit të Burrelit ‘Ura e Matit’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 20:42:10, vetëm 10 sekonda pas automjetit tip ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, konstatohet në lëvizje automjeti tip ‘Hyundai’ Santa Fe, me ngjyrë të bardhë, i cili lëviz nga vendi i quajtur ‘Ura e Matit’ në drejtim të rrugës për në qytetin e Klosit.
Vetëm një orë më pas, në orën 21.47 të kësaj mbrëmje, kamerat fiksojnë edhe automjetin ‘Mercedes Benz’ me të cilin lëviz Renis Dobra i cili bën një ndalesë të detyruar, ku kamerat fokusojnë bisedën e tij me dy persona të panjohur…
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e qytetit të Burrelit ‘Ura e Matit’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 21:51:05, konstatohet automjeti tip ‘Mercedes Benz’, me ngjyrë ulliri, i viktimës Renis Dobra, me drejtim lëvizje nga vendi i quajtur ‘Ura e Matit’ për në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Urës së Matit’ që ndalon në rrugën për në fshatin Zenisht, përballë kameras.
Ku në afërsi të automjetit të viktimës Renis Dobra vihen re të afrohen dy persona në moshë të re, njëri i veshur me pantallona të shkurtra xhins, atlete të zeza, bluzë me mëngë të shkurtra me ngjyrë të zezë me mbishkrim me ngjyrë të bardhë në pjesën e gjoksit, i qethur shkurt dhe personi tjetër është me pantallona të shkurtra me ngjyrë të zezë, me atlete të zeza me gomë me ngjyrë të bardhë, me bluzë me mëngë të shkurtra me ngjyrë të bardhë, me flokë të shkurtra.
Ku pas bisedës, ngjitur me automjetin e këtyre personave, makina tip ‘Mercedes Benz’, e viktimës Renis Dobra, ka vazhduar lëvizjen në drejtim të fshatit Zenisht.
Fill pas këtij takimi në rrugë, ajo që vihet re në vazhdim është që makina e Renis Dobrës është gjithë kohës e shoqëruar nga automjetet ‘Range Rover’ dhe ‘Hundayi’ Santa Fe’.
Gjë që fiksohet edhe nga pamjet e kamerave në qytetin e Burrelit.
Makina të cilat lëvizin përgjatë akseve ku janë të vendosura kamera sigurie nga ora 22.02 e mbrëmjes, deri në momentin e fundit ku ato humbasin nga shikimi i kamerave, që përkon me orën 22.48 min.
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e qytetit të Burrelit ‘Ura e Matit’, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ora 22:02:09, konstatohet automjeti tip ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, me drejtim lëvizje nga rruga e fshatit Zenisht në drejtim të qytetit Burrel.
Vetëm pak sekonda pas këtij automjeti, vihet re të lëvizë në të njëjtin aks automjeti tip ‘Hyundai’ Santa Fe, me ngjyrë të bardhë.
Në distancë vetëm katër minuta nga ky automjet, pas tij konstatohet të lëvizë automjeti ‘Mercedes Benz’, me ngjyrë ulliri, i viktimës Renis Dobra, me drejtim lëvizje nga fshati Zenisht në drejtim të vendit të quajtur ‘Ura e Matit’.
Kjo ndjekje e makinave që në pamje të parë nuk duket se ka asgjë të pazakontë vazhdon për gati 40 minuta.
Deri në momentin kur ato shfaqen për herë të fundit në kamera në orën 22.41 min.
Koha kur ato humbasin nga vështrimi
Dosja Hetimore
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e lokalit ‘M….’ të vendosura përballë lëvizjes së automjeteve që vijnë nga Burreli ku ora reale është 22:39:52,
është konstatuar një automjet tip fuoristradë me ngjyrë të bardhë me drita të gjata të ndezura, me sens lëvizje ‘Ulëz-Shkopet’ dhe pas tij konstatohet një automjet tjetër, që del nga pamja e kamerave, në orën reale 22:39:53.
Një sekondë pas këtij automjeti, në orën e kamerave ku ora reale është 22:39:57, konstatohet automjeti tip ‘Mercedes Benz’, me ngjyrë ulliri, i viktimës Renis Dobra, i cili ka dalë nga fokusi i kamerës në orën reale 22:39:58.
Në pamjet filmike të marra nga kamerat e Bar Kafe, në pronesi të shtetases P. Gj., nga kamera e vendosur përballë lëvizjes së automjeteve që shkonin nga qyteti i Burrelit, që mbajnë datën 8 Korrik 2025, ku ora reale është 22:48:20, konstatohet një automjet tip fuoristradë me ngjyrë të bardhë, me drita të gjata të ndezura, me sens levizje ‘Ulëz-Shkopet’, ku vihet re se automjeti del nga pamja e kamerave në orën reale 22:48:21.
Ajo që konfirmoi faktin që Petrit Hoxha ishte në drejtimin e automjetit Hyundai Santa Fe mbrëmjen e datës 8 Korrik 2025, nata kur u rrëmbye dhe u vra Renis Dobra, ishin edhe pamjet filmike të sallonit ku ai mori këtë makinë me qira.
Ku vetëm disa orë pas këtij krimi, ai shfaqet në këtë sallon për të dorëzuar këtë makinë dhe për të marrë një tjetër.
Një tentativë mendohet dëshpëruese nga ana e e tij për të fshehur bashkëpunimin në këtë krim.
Dosja Hetimore
Më datë 9 Korrik në orën 00.41, në parkingun e sallonit të kompanisë ‘A.. H’, vihet re të paraqitet automjeti ‘Hyundai’ Santa Fe me targë AB 699 GH, me ngjyrë të bardhë, ku nga vendi i drejtuesit të automjetit del shtetasi Petrit Hoxha alias Petrit Çakraj, i veshur me bluzë me mëngë të shkurtra me ngjyrë të kuqe, i qethur tullac.
Ku pasi nxjerr disa çanta nga bagazhi, dhe e pasttron automjetin ‘Hyundai’ Santa Fe ai kalon në makinën tjetër ‘Ëolksëagen’ Jetta, me targë AB 478 TN, me ngjyrë të bardhë.
Menjëherë pas ndalimit të tij, në cilësinë e personit të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e vrasjes së Renis Dobrës, grupi hetues bëri fillimisht kqyrjen e telefonit të Petrit Hoxhës, apo njohur ndryshe si Petrit Çakraj.
Një ‘Iphone’ model X, ku në shumicën e bisedave Petrit Hoxha zgjedh të flasë në aplikacionin ëhats app nëpërmjet voice dhe jo nëpërmjet mesazheve të shkruara.
Petrit Hoxha që pranoi përpara grupit hetues të gjitha lëvizjet që ai kishte bërë me automjetet e marra me qira.
Ashtu sikurse pranoi që ditën e ngjarjes kishte qenë në qytetin e Burrelit.
Si edhe faktin që kishte pirë kafe me vëllezërit Bushgjokaj. Si edhe që këta të fundit kishin takuar viktimën Renis Dobra, i cili lëvizte me automjetin ‘Mercedes Benz;’, në afërsi të një çezme në fshatin Zenisht.
“Nga Miloti për në Burrel unë kam udhëtuar bashkë me shtetasin Kristi Bushgjokaj. Pasi vëllezërit Bushgjokaj takuan Renis Dobrën, në afërsi të një çezme në fshatin Zenisht, Fationi dhe Kristi filluan të debatonin me të dhe hipën në automjetin që ai drejtonte ‘Mercedes Benz’ “, thuhet në dëshminë e Petrit Çakrajt.
Po sipas Petrit Hoxhës, pasi debatuan me Renis Dobrën, dhe Fation Bushgjokaj dhe vëllai i tij Kristi, hipën në makinën e tij, drejtimin e automjetit ‘Range Rover’ që deri në këtë moment e kishte drejtuar Fationi, e mori vëllai i tij Aleksandri. Petrit Hoxha i cili përgjatë gjithë dëshmisë së tij u përpoq të shmangte përgjegjësinë e tij mbi atë që ndodhi më pas.
Duke u shprehur se ai nuk kishte dijeni se për çfarë debatuan vëllezërit Bushgjokaj me Renis Dobrën.
“Pasi debatuan me Renis Dobrën, Fationi dhe Kristi hipën në makinën e tij. Ndërsa drejtimin e makinës ‘Range Rover’ që deri në këtë moment e drejtonte Fationi, e mori Aleksandri.
Unë nuk kam dijeni se çfarë biseduan vëllezerit Bushgjokaj me Renis Dobrën.
Ajo që mund të them është se në kthim jam kthyer për në qytetin e Burrelit, në drejtim të Milotit, nga Shkopeti.”, ka thënë në dëshminë e tij Petrit Çakraj.
Por ndërsa nuk dinte se për çfarë debatuan vëllezërit Bushgjokaj me Renis Dobrën, Petrit Hoxha dha detaje të rëndësishme se çfarë ndodhi në vazhdim me dy automjetet e tjera, atë ‘Range Rover’ ku në drejtimin e tij ishte tashmë Aleksandër Bushgjokaj.
Dhe atë ‘Mercedes Benz’ ku ndodheshin Renis Dobra, dhe dy vëllezërit e tjerë Fation dhe Kristi Bushgjokaj.
Petrit Hoxha që thotë se ai mundi të shquante tre vëllezërit Bushgjokaj në rrugë pranë automjetit Range Rover.
Ndërsa pranë makinës tyre pa të ndaluar edhe atë ‘Mercedes Benz’.
Por jo Renis Dobrën.
“Gjatë rrugës, në afërsi të Ulzës, unë pashë të më parakalonin dy automjetet ‘Range Rover’ dhe ‘Mercedes Benz’. Më pas, në një vend në anësore të rrugës, pashë të ndaluar të dyja makinat. Më tej në dalje të Burrelit, në afërsi të Ulzës, pashë të tre vëllezërit Bushgjokaj jashtë automjetit. Dhe makinën ‘Mercedes Benz’ në afërsi të ‘Range Rover’”, thotë në dëshminë e tij, Petrit Çakraj.
Dyshimet janë se vëllezërit Bushgjokaj kanë ndaluar edhe e kanë mbytur Renis Dobrën. Kjo bazuar edhe në kohën e gjatë që atyre u është dashur të përshkruanin nga Burrelin në zonën ku u gjet më pas e hedhur makina me të cilën udhëtonte viktima Renis Dobra.
Por Fation Bushgjokaj i pyetur nga grupi hetues u përpoq përgjatë gjithë kohës të mohonte që kishte lidhje me vrasjen e Renis Dobrës.
Edhe pse pranoi lëvizjet me makinën e marrë me qira, ai u përpoq të ndërtonte një skenar plotësisht tjetër nga ai Petrit Hoxhës.
Duke thënë se kishte parë dy makina ta parakalonin në aksin Burrel-Shkopet.
“Po unë e pranoj që kam kryer lëvizjet sipas pamjeve filmike të kamerave dhe gps-ve të automjeteve të marra nga unë me qira.
Po kështu pranoj që kam qenë në qytetin e Burrelit dhe në atë të Klosit, ku kam takuar një shok, që nuk ia mbaj mend emrin. Si dhe që kam ardhur nga Tirana në Milot, ku kam ndaluar tek “Hotel E..’, ku kam pirë kafe me shtetasin Petrit Hoxha dhe me vëllezërit e mi, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj. Me këtë të fundit që më pas kam lëvizur për në Klos.
Dhe pasi kam takuar një shok jam kthyer nga Klosi për në drejtim të Rrëshenit”, thuhet në dëshminë e Fation Bushgjokaj.
Po pikërisht në këtë moment Fation Bushgjokaj thotë se nuk ishte ai në drejtimin e makinës së Renis Dobrës, pasi ky i fundit u mor peng.
Por rrëfen se ai ka parë një makinë tjetër që ishte ndaluar në rrugë.
Që më parë e kishte parakaluar.
“Pasi kemi kaluar vendin e quajtur ‘Ura e Matit’, në afërsi të një fshati, kemi ndaluar mbi një orë, duke biseduar në telefon.
Më pas, jemi kthyer mbrapsht, duke kaluar në qytetin e Burrelit dhe nëpermjet unazës, jemi drejtuar për në rrugën që të çon në drejtim të Milotit, nga Shkopeti. Ku gjatë rrugës, në afërsi të Ulzës, kemi bërë 2-3 ndalesa, ku kemi folur ne telefon. Po kështu gjatë rrugës, kemi parë dy automjete që na kanë parakaluar, të cilat nuk i kam njohur.
Më pas, duke ecur, kemi parë vetëm njërin automjet të ndaluar në krahun e majtë të rrugës, ndërsa automjetin tjetër nuk e kam parë më”, thuhet në dëshminë e Fation Bushgjokaj, i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e Renis Dobrës.
Por tashmë mbi tre vëllezërit Bushgjokaj, bashkë me ta dhe Petrit Hoxha, rëndon akuza e rrëmbimit dhe vrasjes së 23 vjeçarit Renis Dobra. Me fakte kokëforta që I shikojnë ata të implikuar në këtë krim.
Ndërsa e vetmja gjë e paqartë është çfarë ndodhi në ato 30 minuta midis viktimave dhe dhunuesve të tyre. Dhe a mund të kishte shpëtuar Renis Dobra, nëse do të kishte një reagim më të shpejtë nga ana e policisë lokale. Nëse do ishte vënë në gjurmë të automjeteve që kishin kaluar pikërish m’u në hundë të saj.
