Skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Drita ka marrë tri pikë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Llapin, me rezultat 0:2, në kuadër të javës së 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqytet, për shkak të punimeve në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, me raste nga të dyja skuadrat, por pa gola. Zhbllokimi erdhi në minutën e 64-t, kur Blerton Sheji realizoi për epërsinë e mysafirëve. Në minutat shtesë, Veton Tusha vulosi fitoren, duke shënuar për 0:2 pas një depërtimi në zonë.
Me këtë fitore, Drita rikthehet në vendin e parë me 38 pikë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e shtatë me 22 pikë.
Fitore para tifozëve të vet ka shënuar edhe Gjilani, që e mposhti Prishtinën, me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm të takimit e realizoi Edi Basha në minutën e 37-të me një goditje nga distanca.
Tri pikë të rëndësishme ka arkëtuar edhe FC Ferizaj, që e mundi liderin e deritashëm, Ballkanin, me rezultat 2:1. Ruben Silva-Richards kaloi vendasit në epërsi në minutën e 9-të, ndërsa dhjetë minuta më pas Almir Kryeziu barazoi shifrat nga penalltia për Ballkanin. Megjithatë, Richards realizoi sërish në minutën e 36-të, duke i siguruar fitoren tejet të rëndësishme Ferizajt.
