Mes spektaklit të tifozëve, të bashkuar rreth ngjyrave kuqezi dhe legjendave të shqiptarisë, Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës, dy ekipet shqiptare u përballën për herë të parë mes tyre në një turne Evropian, një ndeshje që kishte më shumë vlerë për atë që përfaqësonte se sa për rezultatin.
Në duelin mes vëllezërve në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës triumfoi Drita e Gjilanit fal një goli të shënuar nga Arb Manaj në minutën e 20-të. Dy ekipet shqiptare zhvilluan një ndeshje të hapur, me Shkëndijën që u përpoq të rikthej në lojë duke tentuar golin e barazimit me disa goditje dënimi. Në një prej tyre, Liridon Latifi ishte thjesht i pafat teksa goditja e tij u përplas në traversë. Tentoi pak minuta më vonë edhe kapiteni Ibrahimi në të njëjtën formë, por pa sukses. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Dritën që merr një trepikësh të artë pas suksesit 1-0.
Fal kësaj fitoreje ndaj Shkëndijës, Drita hedh një hap të rëndësishëm drejt kalimit të fazës së Ligës në Conference League teksa ngjitet në vendin e 8-të me 8 pikë pas 4 ndeshjeve. Ndërkohë, Shkëndija e Tetovës zbret provizorisht në vendin e 25-të me 4 pikë në 4 ndeshje.
