NGA GENTIAN ÇOÇOLI e ÇLIRIM KOKONOZI*

1.Në një natë të tillë dimri si kjo, ndërsa dëgjon erën që fryn përjashta ngado, shakuj ere, ndërsa sheh drurët që shtëllungen e përkulen gjithë mundim – a thua prej ndonjë nderimi qiellor – kujtohesh edhe ti për atë fjalorin e vogël që nuk e mban dot biblioteka, atë fjalorin tënd të humbjeve. Sepse ti tashmë e ke fjalorin tënd të humbjeve, edhe ti tashmë je nel mezzo del cammin, dhe vetëm kjo erë e thellë mund t’i shfletojë ato fletë të rënda si prej metali.

Me dritë minerali më ndrin në mendje Aja, Afrimi, shoku im i fëmijërisë që mbeti pa luajtur më mbi një pirg zhavori diku Greqisë, B-ja e Besos, shokut tim student historie, që humbi udhën në dimrin e 1991 në një shpat të malit të Buretos dhe që u gjet pranverën tjetër nga një bari: ‘Në gjithë atë shkrirje bore rrotull, një njollë e kuqe më tërhoqi synë – qe pasaporta që kuqonte atje ku duhej të qe zemra…’

E ja ku ndrin në mënyrën e vet D-ja: Dritani, Dritani që mbeti diku në trojet e gjuhës… Dritan Çelën e kam njohur në fillim të vitit 1996, kur sapo kisha ardhur në Tiranë dhe në atë vetmi nokturne ku gjendesha – pak parà, pak libra, pak të njohur – isha duke kërkuar gjithë et të ngjashmit e mi. Zaten ndaj kisha ardhur; nuk flitej pareshtur vetëm me veten. Goni qe larg, Ervini, dy Rudët po ashtu, por Dritan Çela qe afër dhe kjo qe mbështetje për mua.

2.
E njihja Dritanin prej përkthimeve marrafrymëse të Buzzati-t, që në kapërcyell të 1990-s. Që atëherë më la një përshtypje të thellë afria e tij me gjuhën, pasi të pikasësh te një moshatar një miqësi të parakohshme prej të vjetri me gjuhën, është një habi e madhe, por edhe një rast fatlum. Dhe kjo pasi të jepet për përdorje një përmasë e atillë gjuhësore, për të cilën dikush ia ka arritur me mund të madh ta bëjë para teje dhe ti e ke dhuratë. Ndaj është detyrë për një shkrimtar dhe përkthyes të ri që të lexojë me po atë vëmendje paraardhësit dhe bashkëmoshatarët, pasi je i detyruar të flasësh e të shkruash në gjuhën e kohës dhe me shenjat e kohës ku rron. Po aq detyrë është të jesh bashkëkohor, dhe njeriu është bashkëkohor vetëm në gjuhë, në idiomë. Ndaj plakja apo rinia e një shkrimtari varet kryekëput nga mosha e gjuhës që ai përzgjedh të shkruajë.

Dhe Dritan Çela qe më bashkëkohori nga ne, pasi e kishte ngallmuar moshën e vet në gjuhën e vet. Ndofta prej kësaj përmase e krijova atë miqësi mendore me Tanin, siç do ta thërrisja më pas, dhe me moshatarët e mi në Gjirokastër e në Tiranë. E krijova prej miqësisë së përbashkët me gjuhën. Dhe po ta mendosh pak, del se miqësitë e vërteta dhe miqësitë jetëgjata janë në gjuhë, prej gjuhës.

3.
Ende edhe sot janë shumë të rrallë ata shkrimtarë a përkthyes që kanë atë lidhje kaq të fuqishme e të pastër me gjuhën, sikundër e kam gjetur te Dritan Çela. Në ritmin e tij të të jetuarit më ka bërë gjithnjë përshtypje të thellë një gjendje gatishmërie e brendshme ‘për të përgjuar’ tek vetja çastin, kur gjuha sikur hap derën e vet sekrete dhe të thotë: Eja, hyr këtej. Kur i afrohej kësaj gjendjeje gjuhe, në përgjithësi pinte dy kafe të shkurtra njëra pas tjetrës (të paktën këtë ia kopjova), vështrimi prej tavolinës i zgjatej matanë, kushedi ku, dhe pastaj dëgjoja atë që pritej: “Çoçe, po më hanë duart, po shkoj në shtëpi të punoj ca, dëgjohemi…”

Marrëdhënia e tij me gjuhën dhe në përgjithësi me profesionin e përkthimit, më është dukur përherë si marrëdhënie e pastër shkrimtari, dhe një shkrimtari me talent të lavdishëm. Falë talentit, Dritani kishte ndërtuar një marrëdhënie të tillë me punën, sa ajo të mos dëmtonte spontanitetin, intuitiven, të natyrshmen në këtë lidhje: si në një marrëdhënie dashurore që angazhohen në kuotat e tyre më të larta inteligjencia, ndjesitë, intuita, përqendrimi, përfytyrimi, fizikja, prania, e padukshmja.

4.
Dritani kishte një kulturë të plotë letrare dhe qe një njohës i rrallë i vetive (por edhe i mangësive) të përkthyesve më të njohur shqiptarë të qindvjetëshit që sapo iku. E aty gjithnjë veçonte disa, herë-herë madje u vinte ndonjë cilësim. Më kujtohet se Nolin dhe Petro Zhejin e klasifikonte me “mbretërorët”.

Në natyrën e vet intelektuale i kam pikasur një gatishmëri gati grabitqare për idiomën më të re gjuhësore, për fjalë që ‘rroket në ajër’, për fraza që dikush sapo i ka thënë, për sinonime që dikujt i dalin padashur në ligjërim e sipër, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, e që veshi i Tanit – veshi i rrallë gjuhësor i tij – sapo e kishte kapur dhe përthithur për arsenalin e vet të betejës së mëvonshme, kur ulej për punë. Ai qe i pajisur më së miri me atë që Keats-i e ka quajtur ‘uri grabitqare për fjalën, frazën, ritmin’. E pra, qoftë për shkrimtarin e qoftë për përkthyesin, qëndrimi ndaj gjuhës është po aq i barabartë, në mos në favor të përkthyesit, pasi ai është lexuesi më i thellë i veprave. Gjithmonë e kam menduar që, sikundër për gjithë krijuesit e vërtetë, talenti i Dritanit buronte e përtërihej falë ‘grindjes së vjetër me vetveten’. Përherë në pritje të diçkaje, me një shpërqendrim të këndshëm, me kokën e rënduar pak prapa, a thua po caktonte marrëdhënien, largësinë apo qartësinë e duhur me lëndën që po gatiste, ose shtrirjen deri ku mund të shkonte sinori i shqipes në këtë rast, pasi për të ishte përkthyesi ai që, edhe më shumë se vetë shkrimtari, duhet ta hetojë e ta ruajë të kulluar etikën gjuhësore.

5.
Po sigurisht që Dritan Çela ishte edhe një lloj shkrimtari i rrallë: është e pamundur që një përkthyes me talent si të Dritanit të mos ketë një përvojë shkrimtarie, qoftë të drejtpërdrejtë kur shkruan krahas punës prej përkthyesi, dhe sidomos kur ai kthehet në një shkrim të heshtur imagjinar, me bindjen dhe përuljen e rrallë të sakrifikimit të vetes drejt një impersonaliteti gjuhe për të tjerët. Në gjuhën e Dritanit, kudo të hapet ajo, do të kuptohet menjëherë që aty mes rreshtave ka një të flijuar, se vetëm kështu, me këtë dhimbje të mprehtë rinie, falë kësaj, do të fitohej miqësia e rrallë me profesionin, miqësia e vështirë me gjuhën.

Nga më të hershmit e brezit të vet, ndofta më i hershmi i atij brezi që lindi befas nga liria fatlume e gjuhës shqipe, Dritani i vetëm me talentin filloi të radhiste atë ‘thurrimë gjuhësore’ faqe për faqe, e natë pas nate, moshë pas moshe e libër pas libri, dhe ka një kontribut të vërtetë në atë rilindje gjuhe që po ndodhte në vitet ’90 e në vijim, pasi gjuha e tij po jetëzohet tashmë në të folurën e përditshme, në ajrin që hov mbi kryet e njerëzve nëpë rrugë, kafene, shkolla. Por thashë më lart, ndodh që befas Gjuha ia hap dikujt derën sekrete dhe i thotë Hyr… E mua më duket sikur me Dritanin ashtu u ndava,
u ndava për të mos u parë më. Ishte një nga paraditet, pas kafes së dytë, kur iku papritur me një Shihemi të thjeshtë, si të kish rënë në pushtetin e Asaj; dhe ja ku dëgjohet edhe mbyllja e derës sekrete: Hyr në gjuhë.

Por edhe jehona e vazhduar e saj: Rri në gjuhë… Dritan, o mik i mirë, kudo të jesh ti më s’ndryshon me kalendar sot 45, në përjetësi 36 vjeçar.

(ar.sh/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: