Ukraina nuk planifikon të ketë ndërprerje të mëtejshme të energjisë elektrike nëse nuk ka goditje të reja, ndërsa ka qenë në gjendje të grumbullojë disa rezerva energjetike, ka njoftuar ministri përgjegjës për energjinë në vend.
Ky lajm për rritjen e sigurisë së infrastrukturës energjetike në Ukrainë ka ardhur pas disa muajsh të vështirë për vendin pas sulmeve të vazhdueshme të Rusisë pikërisht me qëllim për të ndërprerë elektricitetin.
“Kufizimet e energjisë elektrike nuk do të futen më, me kusht që të mos ketë goditje nga Federata Ruse në objektet e infrastrukturës,” tha Ministri i Energjisë Herman Halushchenko në komentet e postuara në platformën e mesazheve Telegram. “Ndërprerjet do të ndodhin vetëm për riparime”.
Pas pengesave të shumta në fushën e betejës dhe uljes së numrit të trupave ushtarake në lindje dhe jug të Ukrainës, Rusia në tetor filloi të bombardojë infrastrukturën energjetike të vendit, duke lënë miliona njerëz pa energji dhe ngrohje për ditë të tëra.
