TIRANE- Seksioni për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mbrëmë ka vënë në pranga 13 persona, pasi akuzohen për lëndë narkotike dhe për shfrytëzim dhe ushtrim prostitucioni. Mes personave të arrestuar mësohet se janë edhe dy shtetas turq dhe tre femra. Kështu, në kuadër të operacionit të koduar “ESKORT” u bë e mundur goditja e një grupi që organizonte shërbimin eskortë dhe prostitucion në Tiranë dhe në qytetin e Elbasanit.
Ndërkaq, burime pranë policisë së kryeqytetit bënë me dije, se gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Silvana Nexhipi, Ambra Isaku, Xheje Dunga, Franko Dervishi, Eglantin Kapo, Selcuk Kaya (shtetas turk), Mehmet Ozgunoglu (shtetas turk) si dhe shtetasit me iniciale E.Y. dhe E.B. Po të njëjtat burime pohuan, se të gjithë këta persona u prangosën pas një procedimi penal të nisur më herët nga ana e Policisë së Tiranës. Gjithashtu, mësohet se në pranga kanë përfunduar edhe shtetasit: Ervin Tanku, Hasan Kurmeta, Jonid Jace dhe Kevis Abazaj.
Sipas burimeve të mësipërme, në operacionin që u finalizua mbrëmë, blutë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa, 16 doza heroinë, 10 telefona celularë të markave të ndryshme si dhe 3 automjete. Materialet në ngarkim të personave të arrestuar iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pritet që gjykata të vendosë masën e sigurisë ndaj tyre.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
