Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka nisur komunikimin zyrtar të akuzave për çështjen e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, e fshehur në lëkurën e bagëtive.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas hetimeve, lënda narkotike transportohej drejt vendit tonë e përpunuar në lëkurat e gjedhëve, ndërsa ndarja e kokainës do të realizohej në një laborator të improvizuar në zonën e Qerekës, në Krujë. Burime nga hetimi bëjnë me dije se SPAK ka qenë në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal dhe ka lejuar vijimin e aktivitetit për dy ngarkesat e fundit, në muajt shtator dhe nëntor, për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale.
Në këto dy ngarkesa janë futur në Shqipëri rreth 48 tonë lëkurë gjedhi, brenda të cilave dyshohet se ishte fshehur edhe sasia e kokainës. Gjatë kontrolleve të ushtruara në laboratorin në Qerek, autoritetet sekuestruan rreth 850 lëkurë bagëtish të kriposura.
Sipas SPAK, për nxjerrjen dhe përpunimin e lëndës narkotike do të angazhoheshin shtetas të huaj, të specializuar në këtë metodë, të cilët do të vinin posaçërisht në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme ka lëshuar gjithsej 10 urdhër-arreste, mes të cilëve tre për shtetas të huaj.
Hetimet kanë zbardhur një skemë të sofistikuar trafiku ndërkombëtar droge, ndërsa çështja pritet të kalojë për gjykim në ditët në vijim.
