Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime që i japin shoqërisë shtetërore KAYO të drejtën të hyjë në negociata për lidhjen e marrëveshjeve me dy kompani të huaja për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronëve ushtarakë. Sipas ministrit të mbrojtjes Ervin Demo, ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes në vend.

“Miratimi i dy VKM-ve për autorizimin e shoqërisë KAYO për të negociuar me dy kompani për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronëve është domethënës. Është hera e parë që krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese. Jemi afër finalizimit të marrëveshjeve. Kjo do të jetë nxitje jo vetëm për industrinë ushtarake, por edhe për punësimin dhe krijimin e një hapi të mirëfilltë të ndërtimit të mjeteve lundruese”, tha ministri i Mbrojtjes.

Vendimet vijnë në një moment kur në opinionin publik dhe në media janë ngritur edhe pikëpyetje lidhur me projektet e lidhura me këtë shoqëri.

Në gusht të vitit të shkuar KAYO mori në përdorim godinat e ish-Uzinës së Autotraktorëve, por ende nuk ka nisur aktivitete konkrete në terren, ndërsa televizioni News24 u nxor në mënyrë urgjente nga godinat me pretekstin e zhvillimit të projekteve industriale në sektorin e mbrojtjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb