Ministria e Brendshme e Gjermanisë tha se dronë u vunë re gjatë natës së të enjtes dhe të premtes mbi rajonin Schleswig-Holstein, duke vënë në dukje se dyshimet për spiunazh po hetohen.

Për shkak të incidenteve të fundit me dronë në hapësirën ajrore daneze, ministria është në diskutime “intensive dhe të vazhdueshme” me qeverinë federale dhe forcat e armatosura, tha Ministrja e Brendshme e Schlesëig-Holstein, Sabine Zitterlin-Waak, duke shtuar se policia e shtetit po forcon mbrojtjen e saj kundër dronëve në koordinim me shtetet fqinje. Ministrja nuk dha informacion mbi numrin e saktë të dronëve të zbuluar ose zonën në të cilën ata po lëviznin.

Niklas Dierbrück, zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD) për sigurinë e brendshme, shprehu shqetësim për lajmin dhe theksoi se, nëse dyshimi për spiunazh konfirmohet, kjo do të tregonte edhe një herë se sa seriozisht duhet të merren kërcënimet hibride në Schlesëig-Holstein.

“Landet veriore gjermane, së bashku me qeverinë federale dhe, nëse është e nevojshme, në koordinim me fqinjët tanë danezë, duhet të jenë në gjendje t’u përgjigjen në mënyrë efektive ngjarjeve të tilla sa më shpejt të jetë e mundur”, tha z. Dierbrück. SPD u ka kërkuar gjithashtu autoriteteve shtetërore të informojnë zyrtarisht Komitetin e Punëve të Brendshme dhe Çështjeve Ligjore të Bundestagut.

Megjithatë, dronët janë parë vazhdimisht në Schlesëig-Holstein dhe forcat speciale të policisë së shtetit në fillim të këtij muaji sekuestruan një anije mallrash në Kanalin Kiel që besohej se përdorej si bazë për fluturime me dronë. Më 26 gusht, një dron dyshohet se u lëshua nga anija për të fluturuar mbi një anije luftarake gjermane dhe për të bërë foto.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb