Dua Lipa do të jetë një nga tre artistët kryesorë të Coachella 2027, festivalit të famshëm të muzikës që zhvillohet çdo vit në Kaliforni. Këngëtarja shqiptaro-britanike do të ndajë skenën kryesore me SZA dhe grupin Tame Impala, në një edicion që pritet të mbledhë disa prej emrave më të njohur të muzikës ndërkombëtare. Programi i shumëpritur u bë publik pas një paralajmërimi të këngëtares SZA në rrjetet sociale, ndërsa lista e artistëve përfshin emra të njohur nga zhanre të ndryshme muzikore.
Mes performancave më të spikatura është edhe rikthimi i Madonna-s në Coachella. Këngëtarja do të ngjitet sërish në skenën e festivalit, 21 vite pas paraqitjes së saj në vitin 2006, kur promovonte albumin “Confessions on a Dance Floor”. Një tjetër emër i rëndësishëm është Daddy Yankee, ndërsa në program do të jetë edhe dyshja franceze Justice. Lista përfshin gjithashtu Phoebe Bridgers, Don Toliver, Zara Larsson, Weezer, Dom Dolla, Kygo, Empire of the Sun dhe Role Model.
Në festival do të performojnë edhe Kehlani, Jisoo, Tiësto, Måneskin, Four Tet, Becky G, The Neighbourhood, Remi Wolf, Victoria Monét, Caroline Polachek, Underworld, Peggy Gou, Giorgio Moroder, Martin Garrix dhe shumë artistë të tjerë.
Datat dhe biletat
Coachella 2027 do të zhvillohet në Empire Polo Club, në Indio të Kalifornisë, gjatë dy fundjavave radhazi: 9-11 prill dhe 16-18 prill. Shitja e biletave është planifikuar të nisë të premten, më 13 nëntor, në orën 12:00 sipas orës së Paqësorit, përmes faqes zyrtare të festivalit. Ndërkohë, janë bërë të disponueshme edhe paketa që përfshijnë biletat, akomodimin në hotel dhe transportin. Për ata që nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë drejt Kalifornisë, festivali do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube, i cili rikthehet për të 15-in vit si partner ekskluziv i transmetimit online.
Edicioni i vitit 2027 vjen pas një festivali ku në skenë u ngjitën emra si Sabrina Carpenter, Justin Bieber, Karol G dhe Anyma. Një prej momenteve më të komentuara ishte edhe surpriza e Madonna-s gjatë performancës së Sabrina Carpenter në fundjavën e dytë, duke interpretuar së bashku këngën “Bring Your Love”.
