Dua Lipa po vijon qëndrimin e saj në Prishtinë. Tanimë që ‘Sunny Hill Festival’ përfundoi ajo po viziton qytetin e po shijon disa ditë në vendin e saj të lindjes.

Dhe sigurisht nuk ka ngurruar t’i tregojë të gjithëve mbi aktivitetet e saj, duke vijuar me promovimin e Kosovës. Së fundmi, artistja me famë botërore ka qenë në ‘Manifesta 14’. Teksa ka ndarë disa foto prej andej ajo i ka ftuar të gjithë ta vizitojnë këtë ekspozitë arti duke e cilësuar si një eksperiencë që duhet përjetuar me patjetër.

Çfarë është Manifesta?

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane, ndryshon vendndodhjen çdo dy vjet. E themeluar në fillim të viteve 1990, Manifesta ka në thelb marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë civile, duke hetuar dhe nxitur ndryshime pozitive sociale nëpërmjet kulturës bashkëkohore në përgjigje dhe në dialog të ngushtë me sferën sociale të qytetit pritës dhe komuniteteve të tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Manifesta ka zgjedhur vazhdimisht lokacione që pasqyrojnë ADN-në gjithnjë në ndryshim të Evropës për të hedhur dritë mbi një botë të përcaktuar nga ndryshimi i imperativave etike dhe estetike. Manifesta, si një ngjarje e përsëritur, është shndërruar në një instrument shumështresor dhe gjithëpërfshirës të projekteve të angazhimit qytetar.

Këtë vit, ‘Manifesta 14’ po mbahet në Prishtinë. ‘Manifesta 14’ synon të mbështesë qytetarët e Kosovës në ambicien e tyre për të rimarrë hapësirën publike dhe për të rishkruar të ardhmen e kryeqytetit të tyre si një metropol mendjehapur në Ballkan dhe në Evropë përmes zhvillimit të një institucioni të ri kulturor. Po ashtu, po i jep zë kërkesës së shqiptarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave.

Mes fotove të ndryshme Dua ka ndarë edhe poezinë e një poeteje të re nga Kosova, Elona Beqiraj. Poezia i dedikohet Kosovës dhe gjithë vështirësive për të qenë e pavaruar.

“E dua emrin tim, sepse tingëllon si mëmëdheu i prindërve të mi/ E dua tokën e rrethuar nga malet ku gjyshërit e mi luftuan/ E dua ushqimin që gratë tona e bëjnë të jetë gjithçka nga asgjëja/E dua gjuhën që ishte e ndaluar dhe u mësua fshehurazi në bodrumet e shtëpive/E dua emrin tim sepse tingëllon si shtëpia të cilën ata nuk mundën të na e merrnin”- thuhet në poezi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: