Policia e Tiranës ka arrestuar Fredi Ketën, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “The Debt”, i cili akuzohet për rrëmbim dhe shtrëngim për dhënie pasurie.

Shtetasi Fredi Keta, 40 vjeç, banues në Tiranë, u kap nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative. Në momentin e ndalimit, ai tentoi të mashtrojë policinë duke dhënë gjeneralitete të rreme.

Kujtojmë se ‘ushtari’ i Ervis Martinaj, Hektor Xhecuka, është përfshirë në një pengmarrje bashkë me ish-presidentin e Klubit të Kamëzës, Naim Qarri dhe 5 persona të tjerë, në korrik 2024  dhe e ka kanosur atë për t’i marrë një shumë parash prej 70 mijë eurosh.

Më herët, në korrik, u arrestuan katër prej bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa tre të tjerë u vendosën në arrest shtëpie.

Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj Fredi Keta masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb