Mesazhe të forta vijnë nga protesta e shoqërisë civile para kryesisë së Kuvendit, ku do të mbahej mbledhja e Këshillit të Imunitetit ku do të trajtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Kjo e fundit është marrë e pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre, në disa raste. Përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan një proces transparent, ndërsa akuzojnë kryeministrin Edi Rama për zvarritje të qëllimshme të procesit.
“Nëse ata janë të pafajshëm për ne nuk ka asnjë problem., por nuk mundet që mandati të bëhet mburojë për këta politikanë që vjedhin qytetarët. Procesi i drejtësisë nuk mund të jetë me faza, por duhet të shkojë deri në fund.”, tha një protestuese. Ndërkohë një tjetër bëri thirrje edhe me të forta, ndërsa shtoi se Shqipërisë po i bëhet gjenocid, duke e shpopulluar.
“Ne kishim thirrur një protestë qytetare, ndërsa dje na u njoftua se ishte shtyrë për 12 dhe më pas u shty fare. Rama ka frikë që të përballët me drejtësinë dhe gjen këto artifica dhe shtyn procesin. Këta politikanë të veshur me pushtet, po zvarrisin procedurën siç ndodhi me Xhaçkën. Duan të kalojnë afatin që të mbushen 3 muaj. Qytetarët duhet të bëjnë presion që të mos lihet me kaq kjo çështje. Edi Rama po bën çmos, duke përdorur dhe lobimet ndërkombëtare, por po dështon çdo ditë. Të shohësh punët publike ku shemben tunelet me vlerë mln euro, ashtu po shembet dhe retorika e tij. Ai është i dështuar, pasi i ka dështuar modeli i tij ekonomiko-social, pasi shqiptarët po ikin. Gjysma e buxhetit vidhet, ndihmat e BE janë bllokuyar, 75% e studentëve duan të ikin, ky është shpopullim, gjenocid që po i bëhet shqiptarëve. Mos të pengohet nga Ballët, nga Cuçot e Çomot. Ne duam që Balluku dhe këta zyrtarë të korruptuar të vihen para drejtësisë. Duam që të jetë një proces i hapur dhe transparent për qytetarët.”, tha ai.
