Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Ervin Salianjit për kundërshtimin ndaj dënimit të tij me 1 vit burg, duke sqaruar se sipas saj procesi ka qenë i rregullt.
Ndërkohë një vendim i tillë është paralajmëruar rreth dy javë më parë nga ish deputeti. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shkruante se dënimi dhe procesi gjyqësor synojnë ta mbajnë larg zgjedhjeve lokale, ndërsa paralajmëron se, në rast të rrëzimit të kërkesës së tij, do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Sot nuk duhet të ishte thjesht një seancë gjyqësore për një çështje timen. Do të duhej të ishte një moment prove për Gjykatën Kushtetuese. Do të duhej të ishte dita kur Kushtetuta të fliste më fort se pushteti i regjimit autokratik. Por, fatkeqësisht, dikush mbahet peng me dosje korrupsioni, dikush shantazhohet me regjistrime, dikush përballet me dosje si bashkëpunëtor i shërbimit dhe dikush me lidhje me grupe kriminale, si Xhafajt. Kjo nuk është drejtësi që ngrihet mbi politikën. Kjo është drejtësi që mbetet peng i politikës.
Por sot nuk mbyllet beteja. Sot hapet rruga për betejën në Strasburg. Atje do të çojmë të vërtetën e kësaj çështjeje dhe të gjithë atë që ka ndodhur”, shkroi ish-deputeti demokrat.
Vendimi:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata), në datën 29.09.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ervin Salianji, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 së Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr. 00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Gjykata, e mbledhur sot në datën 09.10.2026, pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vlerësoi:
– Ta shqyrtojë çështjen në drejtim të lirisë së shprehjes, të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës, të lidhur me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe standardin e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Mbështetur edhe në jurisprudencën e GJEDNJ-së, që, nga njëra anë, ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë e lirisë së shprehjes për deputetët dhe, në të njëjtën kohë, ka theksuar edhe se neni 10 i KEDNJ-së nuk garanton liri të pakufizuar të shprehjes, në rastet kur personat e përfshirë nuk veprojnë me mirëbesim në ofrimin e një informacioni të saktë dhe të besueshëm, Gjykata vlerësoi se dënimi penal i kërkuesit përbën ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Në kuadër të kritereve të parashikuara nga neni 17 i Kushtetutës, Gjykata çmoi se ndërhyrja është e parashikuar me ligj dhe është bërë për qëllim legjitim. Në vijim të po kësaj analize, Gjykata, pasi diskutoi çështjen edhe në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes, me shumicë votash, vlerësoi se ajo është proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura dhe arsyet e parashtruara nga gjykatat e zakonshme për ta justifikuar atë ishin relevante dhe të mjaftueshme.
– Se pretendimet e tjera në kuadër të së drejtës për proces të rregullt ligjor të ngritura nga kërkuesi, me shumicë votash, u gjetën të pabazuara.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
