Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, ka bërë thirrje për ashpërsimin e protestave të opozitës, duke sugjeruar edhe forma ekstreme si greva urie.

Sa i takon situatës brenda mazhorancës, Dogjani ndau mendimin se Edi Rama është në orët e fundit të pushtetit dhe nuk e kalon vitin në krye të qeverisë. Ai insistoi se zgjidhja janë protestat, qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira.

Unë mendoj se janë orët e fundit të Ramës dhe mendoj se ai nuk e kalon këtë vit. Kam bindjen se shqiptarët do i kthehen vendit, Shqipërisë dhe protestës për të larguar Ramën. Patjetër me protesta ikën Rama, me çfarë tjetër? Madje të jenë më të fuqishme. Opozita ka qëllim protestat, qeverinë teknike dhe zgjedhjet e lira”, u shpreh ish-deputeti Asllan Dogjani.

Gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, Dogjani theksoi se Partia Demokratike duhet të rrisë presionin ndaj qeverisë, por pa përdorur dhunën.

Ai nënvizoi se opozita duhet të përdorë forma të ndryshme presioni, përfshirë protesta më të shpeshta dhe greva urie, për të ndikuar në opinionin publik dhe për të rritur reagimin qytetar.

“Protestat të vijnë duke u ashpërsuar. Nuk është molotovi zgjidhja. Të kenë pjesëmarrje më të madhe, të krijohet frymë besimi që të afrohen në PD. Duhen protesta të shpeshta, duhen gjetur mënyra të tjerë për të ndikuar në opinion. Duhen greva urie dhe forma të tjera”, tha ai.

Duke folur për situatën e brendshme në parti, Dogjani theksoi se PD nuk ka luksin të përçahet, pasi sipas tij një ndarje e opozitës do të favorizonte kryeministrin Edi Rama për të qëndruar në pushtet.

I pyetur për një garë të mundshme përballë kreut aktual të PD-së, Sali Berisha, Dogjani u shpreh se në parti duhet të ketë konkurrencë, por theksoi se nuk ka ndërmend të kandidojë, pavarësisht mbështetjes që ka marrë në zgjedhjet e mëparshme.

“Kam marrë 8 mijë vota në qarkun e Tiranës dhe u jam mirënjohës, por nuk e kam ndërmend të kandidoj,” tha ai, duke shtuar se prioriteti mbetet bashkimi i opozitës dhe rritja e presionit politik ndaj qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb