Pas deklaratës së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Malaj se pensionet nuk mund të rriten, pasi parashikohet recesion ekonomik, vjen një reagim nga presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit, teksa ka shpërndarë analizën e Malajt, thekson se duhet të shtohen përpjekjet për hapje të sigurt për ekonominë, në mënyrë që edhe ngritja të jetë sa më e shpejtë.

“Ndërsa duhet forcuar edhe më tej kontrolli i pandemisë dhe treguesve të saj, duhet të shtojmë përpjekjet për një hapje të sigurtë dhe të pakthyeshme të ekonomisë, me qëllim ringritjen e saj sa më të shpejtë.”, shkruan Meta.

Meta ka publikuar një pjesë nga analiza e Prof.Dr. Arben Malajt:
Qeveria duhet ta përmirësojë transparencën publike të hartimit dhe miratimit të paketave sociale dhe mbështetëse për biznesin.
Konsultimi dhe analiza e kujdesshme e çdo propozimi prej grupeve të interesit.
Analiza, vlerësimi dhe përfshirja e propozimeve të opozitës përmirësojnë pritshmëritë e individëve dhe biznesit për daljen nga kriza dhe ringritjen e tyre.
Përmirësimi i pritshmërive optimiste ka një efekt pozitiv në ekonomi shumë më të madh se qindra miliona dollarë apo euro të injektuara në ekonomi.
Hapja e ekonomisë edhe në mënyrë graduale është fillimi i fundit të efekteve negative të COVID-19, ndërsa ringritja e ekonomisë të jetë fillimi i fundit të keqqeverisjeve, sepse aty gjenden rrënjët përse disa vende preken më pak dhe ringrihen menjëherë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb