Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se nga muaji mars e deri më sot janë zhvilluar një sërë takimesh në Bruksel që, sipas tij, janë mbajtur të fshehta nga publiku.
Berisha u shpreh se këto takime janë organizuar nga vetë qeveria shqiptare, ndërsa përfaqësues të saj kanë qenë të pranishëm, por informacioni nuk është ndarë as me opozitën dhe as me qytetarët.
Ai theksoi se nga këto mbledhje nuk është arritur asnjë marrëveshje apo konsensus për të kaluar raportin IBAR, i cili lidhet me vlerësimin e çështjeve themelore në procesin e integrimit.
“Nga marsi deri sot, për integrimin e Shqipërisë janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh të mbajtura sekret nga qeveria edhe pse përfaqësuesi i saj ka qenë aty. Janë fshehur nga opozita dhe qytetarët. Nga takime nuk u arrit asnjë ujdi apo konsensus që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm i vlerësimit të çështjeve themelore në proces”, tha ai.
