Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku u diskutuan të dhënat e mbledhura gjatë një cikli 4-vjeçar pune intensive për vlerësimin e universiteteve në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi si pjesë e vizionit për një “Universitet 4.0”, duke nënvizuar se raporti përfaqëson një bilanc të vlefshëm për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në vend.

 

“E kërkuam këtë takim për një bilanc të punës intensive në një 4-vjeçar kohor, i cili meriton respekt dhe falënderim për angazhimin,” tha ai.

Sipas Ramës, raporti nxjerr në pah progresin e bërë, por edhe sfidat e shumta që mbeten për t’u përballuar. “Ndërkohë që ne ecim përpara, bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, për t’i dhënë të rinjve tanë një ofertë akademike serioze e konkurruese, duhet të shtyjmë me shumë forcë përpara,” theksoi ai.

Rama shtoi se Shqipëria, në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka nevojë për një rishikim të ligjit për arsimin e lartë, i cili duhet të reflektojë përvojën e akumuluar deri më tani, por edhe zhvillimet më të fundit në sistemet akademike moderne. Ai bëri thirrje për një qasje të guximshme dhe të vendosur për të adresuar sfidat, duke përmendur se ky është një moment kyç për t’i dhënë arsimit të lartë shqiptar një hov të ri drejt standardeve europiane.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb