Ish-deputeti, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin Minuta e Parë në News24, ka prezantuar një propozim për daljen nga kriza e thellë ku ndodhet vendi, duke bërë thirrje për formimin e një “Qeverie të Përkohshme për Europën” me bazë të gjerë politike, por duke larguar kryeministrin Edi Rama.

Shehi hodhi poshtë idenë e një qeverie teknike, duke argumentuar se kjo krizë kërkon zgjidhje plotësisht politike dhe përfshirjen e të gjitha aktorëve kryesorë në vend, përfshirë lëvizjen e re rinore që po proteston në bulevard:

“E kemi provuar qeverinë teknike dhe ka dështuar. Unë propozoj një qeveri politike të përbashkët. Pse u dashka teknike? Janë më të zotë këta teknikët për të kuptuar situatën? Nuk po thoshim kanë mbetur hidrocentralet pa mbaruar, po thoshim të ndryshojmë hartën politike të Shqipërisë. Kjo bëhet vetëm me politikë. Largohet Edi Rama. Bëhet një qeveri për Europën dhe marrin përsipër vijimin e negociatave.”

Sipas ish-deputetit, kjo qeveri e re duhet të përbëhet nga tri komponente kryesore: shumica zyrtare, opozita parlamentare dhe forca e re qytetare e rrugës:

“Nuk e paragjykoj të vijë një kryeministër socialist. Do jetë edhe pala tjetër, PD dhe ata në Parlament. Por edhe kjo pala në rrugë duhet përfaqësuar sepse këta janë iniciatorët e një trajektoreje të re politike. Janë forca të papërfaqësuara me kartona… Po them të përfaqësohen edhe të rinjtë. Të jenë edhe socialistë, edhe demokratë. Ndryshe nuk është qeveri politike me bazë të gjerë.”

Duke u ndalur te detyrat kryesore të këtij ekzekutivi të përkohshëm, Shehi theksoi nevojën e ngutshme për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe shfuqizimin e kuadrit ligjor që lehtëson korrupsionin shtetëror:

“Do ndryshojmë ligjin zgjedhor e dyta. Ligjin për administratën, ligjin për zgjedhjet lokale, zgjedhjet politike që edhe këta të rinj që kanë dalë në protestë të përfaqësohen. Të dyja palët i kanë përzënë të rinjtë me marrëveshjen që kanë bërë.”

Ai renditi gjithashtu ligjet kryesore që sipas tij përbejnë “vjedhjen me ligj” dhe duhet të anulohen menjëherë: “Pse kanë dalë këta njerëz? Vjedhja, korrupsioni, aroganca kanë mbërritur kulmin! Disa ligje që janë baza e të keqes, kush është korrupsioni me ligj: ligji për partneritetin publik-privat (PPP), aty bëhet vjedhja me ligj. Hiqe këtë ligj që të mos vidhet më me ligj. Ligji për investimet strategjike, vjedhje me ligj, ndaloje. Ligji për zonat e mbrojtura për të cilin u ngritën këta, paketa e maleve… Janë ligje korruptive që duhen ndaluar.”

Shehi artikuloi se Rama ka qëndruar në pushtet prej 14 vitesh, duke theksuar se kjo kohë ka qenë mëse e mjaftueshme për të bërë çdo gjë që mund të konsiderohej e re.

“Rama ka qëndruar 14 vite. Çfarë ka pasur për të bërë të re, e ka bërë. Sa do të rrijë ky, sa Lukashenko? Çfarë të dialogojë më shumë ai?” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb