Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Friedrich Merz iu drejtua vendeve të Ballkanit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke shprehur pakënaqësi me qasjen aktuale të BE-së ndaj rajonit dhe duke bërë thirrje për një strategji të re.
“Po ndihem gjithnjë e më në siklet me qasjen tonë ndaj vendeve tuaja. Duhet të rihapim një strategji të re. Nuk dua t’ju humbas”, deklaroi Merz, duke theksuar se vendet e Ballkanit janë pjesë e kontinentit evropian dhe, për rrjedhojë, potencialisht pjesë e Bashkimi Evropian.
Kancelari gjerman foli edhe për pengesat politike brenda BE-së që, sipas tij, po ngadalësojnë procesin e zgjerimit. “Ka një elefant në dhomë. Të gjithë e dinë këtu në këtë dhomë se kush është kundër kësaj, por ne duhet ta kapërcejmë këtë”, u shpreh ai, duke iu referuar nevojës për votë unanime në Këshilli Evropian për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave.
Merz theksoi se shpreson që pas zgjedhjeve që do të zhvillohen në prill, të krijohen kushtet për të ecur përpara me procesin e zgjerimit. “Më së voni pas zgjedhjeve në prill, shpresoj se do të jemi në gjendje të hapim kapitujt e ardhshëm dhe t’ju sjellim gjithnjë e më afër Bashkimit Evropian, në fund fare si anëtarë”, deklaroi ai.
