I ftuar në studion e News24 me moderatoren Megi Latifi ishte nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti i cili foli për lëvizjet në Bashki pas dorëheqjeve të nënkryetarëve.

Ai tha se aktualisht kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka humbur çdo lloj ndikimi administrativ dhe politik në bashki. Sipas Telitit postet e reja në bashki janë deleguar nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe se për rizgjedhjen e kryebashkiakut të ri duhet të zhvillohen zgjedhjet vendore.

Teliti theksoi gjithashtu se duhet që Tirana të kthehet në një normalitet ligjor.

“Aktualisht kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka humbur çdo lloj ndikimi administrativ dhe politik në bashki.  Mund të them se katër postet e reja në Bashkinë e Tiranës janë deleguar nga kryeministri. Bashkia e Tiranës po trajtohet si ndarje torte, jo si pushtet vendor. Në momentin që ne nuk kemi një kryetar të Bashkisë së Tiranës, zgjidhje e duhur për rizgjedhjen e e tij janë zgjedhjet vendore. Duhet të kthejmë Tiranën në një normalitet ligjor. Përsa i përket shkarkimeve në bashki, një urdhër i kryeministrit nuk mund të shkelë mbi ligje”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij në studio, nënkryetari i Këshillit Bashkiak i Tiranës u ndal edhe tek zhvillimet politike në kampin opozitar. Ai tha se opozita po del çdo ditë me fakte për zbulimin e së vërtetës së zgjedhjeve dhe se dy muaj pas 11 majit nuk është e qartë se sa votues shqiptarë kanë votuar.

“Ne jemi afërsisht dy muaj pas zgjedhjeve dhe akoma nuk dimë se sa votues shqiptarë kanë votuar. Çdo ditë po dalim me fakte të reja për zgjedhjet e 11 majit. Po të shikoni komunikimi ka qënë vetëm për zbulimin e të vërtetës së zgjedhjeve. Krimet zgjedhore po i faktojmë çdo ditë, por SPAK nuk i nis hetimet. Kodi i ri Penal ishte i pakonusltuar dhe i patrajtuar dhe gjithashtu komplikon punën e sistemit gjyqësor”, përfundoi Teliti.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: