Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku paraqiti sot në Komisionin e Ekonomisë rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës, një masë që synon të mbështesë prodhuesit vendas, të rrisë konkurueshmërinë dhe të nxisë investimet në industrinë artizanale të birrës në Shqipëri.

Sipas saj, në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet ndryshimi i një tatimi për të përcaktuar disa kritere të reja sa i takon birrave artizanale, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve “Made in Albania”, nga rënia e euros apo dhe ekonomia informale.

Ajo u shpreh se shpesh taksat përdoren si gjoba ndaj bizneseve.

“Do të doja të ishte diskutuar më parë, jo vetëm për të impaktin në të ardhurat e buxhetit por sepse diskutimet në çështjet fiskale duheshin diskutuar në fund të vitit të shkuar. Qeveria vendosu ndryshe, kështu që i erdhi radha tani këtij projektligji që të ndryshohet. Propozimi ligjor ka në bazë reduktimin e akcizës për birrën artizanale, dhe kjo nuk është një ide e re, është një ide që nuk është as teorike, por e provuar, e testuar për disa produkte të veçanta shqiptare që sot janë duke dalë nga tregu fatkeqësisht.

Sot janë publikuar të dhënat edhe për raportin import, eksport, raporti negative që ka pasur Shqipëria vitet e fundit. Eksportet shqiptare praktikisht po vdesin, mes tyre edhe produktet “Made in Albania”, duke përfshirë edhe produktin e birrarive të vogla.

Kjo vjen si rezultat i dy elementëve kryesorë. I pari lidhet me zhvlerësimin e Euros, çka është diskutuar gjerësisht në këtë komision. Zhvlerësimi i Euros është duke nxjerrë sot nga tregu biznese të tëra që tradicionalisht kanë operuar në Shqipëri. Po lidhet me politikën e gabuar të taksave. Taksa të cilat shpesh herë vendosen si gjobë ndaj bizneseve të vogla. Ndërkohë për oligarkët, kanë favore fiskale. Këto janë gjoba për bizneset që prodhojnë në Shqipëri
Janë gjithsej 9 birrari artizanale që prodhojnë 3985 hekto litra. Duhet që kjo të ishte bazë për turizmin vendas.

Ndryshimet e akcizës për prodhuesit e vegjël, nuk është privilegj, por standard europian. Për mua kjo është taksë fiskale që u vihet bizneseve”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb